MOORE: MESAZHET E HARRUARA

Patrick Moore, analist i Evropës së Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, bota sërisht është ballafaquar me një valë të re të sulmeve terroriste. Tani në shënjestër është Turqia. Përse pikërisht Turqia dhe si e shini ju në përgjithësi fenomenin e terrorizmit?

PATRICK MOORE
Po le të shohim më parë se çfarë është Turqia. Është një shtet sekular, liberal nën shpirtin e Qemal Ataturkut dhe në të njëjtën kohë është një shtet me një shumicë dërrmuese muslimane, që aspiron për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ka arsye të shumta këtu që aspektet sekulare, europiane dhe liberale, janë shumë antagoniste me besimin e këtyre terroristëve. Është një shoqëri e hapur dhe një vend ku mund të hysh lehtë. Dhe në këtë rast ne vumë re që sulmet u drejtuan në objekte perëndimore, veçanërisht britanike. Por le të shohim diçka krahasuese? Më parë është sulmuar edhe Arabia Saudite, që nuk është një vend liberal si Turqia. Cili është mesazhi i atyre që sulmojnë Turqinë dhe Arabinë Saudite? Mesazhi është që ata mund të sulmojnë kudo dhe këdo që caktojnë si objektiv të tyre. Ata gjithmonë do gjejnë një justifikim për të sulmuar dhe çdokush që e injoron këtë kërcënim, injoron rrezikun që i kanoset vetë atij.

RADIO EVROPA E LIRË
Joshka Fisher, Ministri i Jashtëm gjerman ka deklaruar se përshkak të rrezikut nga terrorizmi, sërisht duhen forcuar lidhjet trans-atlantike. A mendoni se mosmarrëveshjet e mëhershme ndërmjet aleatëve trans-atlantikë kanë inkurajuar forcat terroriste?

PATRICK MOORE
Gjermania, përkatësisht kancelari Shrëder, shprehu një solidaritet të pakufizuar me Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Për këtë deklaratë solidariteti të pakufizuar ai u kritikua ashpër brenda partisë së tij, nga të gjelbrit, nga media gjermane, që është e krahut të majtë. Gjermania filloi të bëjë dhe vazhdon të bëjë shumë në Afganistan. Kjo është një pikë që ka theksuar presidenti Bush. Gjermania gjithashtu është e përfshirë në operacione antiterroriste në brigjet e Afrikës. Pavarësisht nga kjo, gjatë fushatës së rizgjedhjes së kancelarit Shrëder në vitin 2002, ai përdori gjerësisht një fushatë anti-amerikane dhe së bashku me Francën i kundërshtuan në mënyrë aktive Shtetet e Bashkuara në Kombet e Bashkuara në janar dhe në shkurt. I rëndësishëm është fakti se për një periudhë të gjatë Shrëderi ka promovuar një ndjesi publike tepër anti-amerikan, të cilën gati do ta quaja limituese dhe plot urrejtje. Ajo që kam vënë re dhe më shqetëson është që ka shumë pak, apo aspak udhëheqës kyçë politikë gjermanë që flasin hapur për mbrojtjen e aleancës së Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara Por t'i kthehemi pyetjes tuaj. Ajo që terroristët shohin është një përçarje dhe ata këtë e cilësojnë si një dobësi. Mendoj që është interesante të thuhet se në sulmet, ato më të mëdhatë që kanë ndodhur deri tani në Turqi dhe Arabinë Saudite, italianët, britanikët dhe amerikanët janë sulmuar, por deri tani janë kursyer gjermanët dhe francezët.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Bush përfundoi vizitën në Britaninë e Madhe. Në Londër u mbajtën disa demonstrata të mëdha kundër Bushit, ndërsa Nju Jork Times shkroi se kritikët e Bushit janë anti-amerikanë dhe para së gjithash urrejnë Amerikën. Si i shihni ju këto fenomene?

PATRICK MOORE
Mendoj që është e rëndësishme që përmendët fjalën urrejtje, të cilën sapo e preka lidhur me mediat gjermane. Përsa u përket demonstruesve në Londër, mjafton të shihen fytyrat e tyre. Disa nga këta njerëz nuk mund të merren tepër seriozisht. Më kujtohet kur isha adoleshent dhe sapo kisha filluar të interesohesha për politikën, presidenti i asaj kohe ishte Lindon Xhonson. Një herë më kujtohet që foli për anti-amerikanizmin në televizion dhe tha se ishte i bazuar në xhelozi. Mendoj se ka shumë për t'u thënë lidhur me këtë. Ish fuqitë koloniale, të cilat janë tani fuqi të rangut të dytë ose të tretë, kanë probleme psikologjike që të përballen me faktin që Shtetet e Bashkuara po bëhenfuqi globale. Shumë prej këtyre qëndrimeve janë në kundërshtim me modernizmin, globalizimin, zhvillimet e teknologjisë dhe çdo gjëje që mund të quhet moderne. Për t'u kthyer protestuesve në Londër, unë sinqerisht i shikoj këta njerëz më tepër si adoleshentë rebelë, sesa si njerëz me qëndrime serioze politike dhe nuk mund t'i marr seriozisht. Por ajo që më shqetëson dhe atë që e konsideroj vërtet pa shije është fakti që këta njerëz vazhduan me këtë lloj cirku në Londër, edhe pas sulmeve në Stamboll. Dhe mendoj se nëse do kishin një lloj dinjiteti në aspektin politik, duhet të ishin përqëndruar në një protestë anti-terroriste, më shumë sesa në një protestë anti-Bush.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë fjalimit në Londër, presidenti Bush ndërmjet të tjerave ka folur edhe për vlerat e përbashkëta për të cilat është luftuar në Kosovë, Afganistan dhe Irak. Cili ishte mesazhi i kësaj pjese të fjalimit të presidentit Bush?

PATRICK MOORE
Është shumë e rëndësishme që e tha këtë, pasi ai i rikujton të gjithëve se ka në thelb një lidhje mes asaj që ndodhi në Ballkan në Afganistan dhe në Irak. Kjo është shumë e rëndësishme. Presidenti Bush e përmendi këtë pasi siç ndodh shpesh herë pas një konflikti, ka një element revizionist në Shtetet e Bashkuara që synon të argumentojë se nuk duhet të ishim përfshirë në Bosnjë apo Kosovë. Nuk mendoj se do të ishte një befasi e madhe nëse përmendim që disa prej profesorëve që po debatojnë këtë gjë, janë serbo-amerikanë. Jo të gjithë por disa. Disa prej njerëzve që po përdorin këtë lloj argumenti, janë nga ata që përdornin çdo gjë që munden për të kritikuar presidentin Klinton. Nuk i konsideroj këto opinione tepër popullore, por mendoj se dëgjuesit tuaj duhet ta dinë se këto opinione po shprehen.

Cili ishte mesazhi i presidentit Bush?
Ai tha se ka disa herë kur njerëzit e lirë duhet të përdorin dhunën për të ndaluar njerëz të dhunshëm. Ky ishte mesazhi që u mësua në vitet '30, në ballafaqimin me diktatorët në Itali, Gjermani dhe Japoni, dhe ky ishte një mësim që u aplikua në një aspekt tjetër nga presidenti Regan në vitet '80. Atëhere presidenti Regan morri një qëndrim të ashpër, vitalizoi ushtrinë amerikane duke i dërguar një mesazh Bashkimit Sovjetik që nuk mund të mendonin të fitonin Luftën e Ftohtë, pasi do u jepnim një garë armatimi, që nuk do mund ta ndiqnin. Dhe të gjithë e dimë se cili ishte epilogu. Ishte fitorja për botën e lirë. Ajo që presidenti Bush tha, është se disa herë është e nevojshme të përdoret dhuna kundër njerëzve të dhunshëm. Mendoj se është një mesazh i qartë për njerëzit dhe demokracitë e Evropës perëndimore apo tjetërkund që e kanë harruar këtë mësim.

Intervistoi Melazim Koci