Sputnik V: Rrëfimi për vaksinën kontroverse të Rusisë kundër COVID‑19
Më 1957, objekti i parë, i krijuar nga njeriu, ka hyrë në orbitën rreth Tokës. Ishte quajtur Sputnik dhe ishte lëshuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Tani, 63 vjet më vonë, Rusia ka lëshuar një tjetër Sputnik: Sputnik V, vaksinën e parë të regjistruar kundër koronavirusit.
Pavarësisht shqetësimeve serioze të ekspertëve se vaksina është miratuar pa kryer testimet e domosdoshme, më shumë se 40 shtete kanë vendosur t’i besojnë asaj dhe e kanë miratuar vaksinën për përdorim. Më poshtë gjeni disa gjëra që duhet t’i dini për këtë vaksinë.
Si funksionon vaksina Sputnik V?
Sputnik V është vaksinë vektoriale. Kjo nënkupton se për krijimin e saj është përdorur një version i modifikuar i një virusi tjetër, si mënyrë për të bartur materialin gjenetik në qelizë. Sputnik V është krijuar duke përdorur viruse që zakonisht shkaktojnë infeksione në rrugët e frymëmarrjes, mirëpo edhe viruse tjera (duke përfshirë ata të gripit sezonal ose fruthit) janë përdorur nëpër terapi vektoriale.
Virusi, që është përdorur si vektor, është ndryshuar ashtu që të mos përbëjë rrezik apo të shkaktojë sëmurje. Në të gjendet edhe një gjen shtesë, i cili është unik për virusin që shënjestron. Për vaksinat kundër COVID‑19, sëmundjes që shkakton koronavirusi, gjeni përmban udhëzime për krijim të një proteine, që gjendet në sipërfaqe të këtij virusi.
Sapo të marrë vaksinën një person, vektori futet në qelizë dhe e shfrytëzon atë për të krijuar proteina. Sa më shpejt që sistemi imunitar e njeh proteinën, ajo fillon të prodhojë antitrupa dhe aktivizon procese tjera imunitare në trup.
Nëpër çfarë procesi ka kaluar krijimi i Sputnik V?
Rusia ka nisur testimet klinike për vaksinën kundër COVID‑19 në qershor të vitit 2020.
Në më pak se dy muaj, presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se Qendra Kombëtare për Epidemiologji dhe Mikrobiologji Gamaleya ka regjistruar për përdorim vaksinën e parë në botë kundër COVID‑19.
Faza e tretë e testimeve, që zakonisht përfshin mijëra persona dhe zgjat për disa muaj, as që ka filluar në atë periudhë. Prandaj, shumë ekspertë shëndetësorë kanë paralajmëruar se të dhënat nuk kanë qenë përfundimtare dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e vaksinës.
Nuk ka kaluar shumë dhe Rusia ka njoftuar se do rrisë testimet për vaksinën dhe të përfshijë në to 40,000 vullnetarë. Si përfundim, Faza e tretë e testimeve ka nisur në shtator të vitit 2020.
Pas vaksinimit të disa punëtorëve shëndetësorë, vaksinimi në masë ka nisur në dhjetor të vitit 2020, pavarësisht pse vaksina ende ka qenë në fazë testimi. Dy javë më vonë, Bjellorusia është kthyer në shtetin e parë të huaj që ka miratuar për përdorim vaksinën ruse.
Në shkurt të vitit 2021, revista kërkimore The Lancet ka publikuar një studim që ka treguar se vaksina Sputnik V ka qenë 91.6 për qind efektive. Aty po ashtu është thënë se vaksina është e sigurt dhe mund të mbrojë kundër shtrirjes në spital dhe vdekjes.
Ndonëse Sputnik V është miratuar (deri diku) në më shumë se 40 shtete deri më tani, ajo nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA).
Pavarësisht kësaj, Hungaria ka regjistruar vaksinën për përdorim më 21 janar, duke u bërë shteti i parë në Bashkimin Evropian që bën një gjë të tillë. Në fillim të marsit të vitit 2021, një marrëveshje për 2 milionë doza të kësaj vaksine është nënshkruar edhe me Sllovakinë, anëtare tjetër e bllokut evropian.
Më 4 mars 2021, Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se ka nisur procesin e rishikimit të vaksinës Sputnik V.
Ku dallon vaksina Sputnik V me vaksinat tjera?
Sputnik V mund të ruhet në frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, çka e bën atë më lehtë të ruajtshme në krahasim me vaksinat tjera – vaksina Pfizer/BioNTech duhet të ruhet në temperaturë -70 gradë Celsius, vaksina e kompanisë Moderna në -20 gradë Celsius.
Sipas revistës The Lancet, efekti i vaksinës është 91.6 për qind – pak më pak në krahasim me efektin e vaksinave të kompanive Pfizer/BioNTech apo Moderna, mirëpo ka përqindje më të madhe të efikasitetit sesa vaksinat e kompanive AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Megjithatë, disa shkencëtarë besojnë se efekti i vaksinave është vështirë i krahasueshëm, pasi ato janë testuar në faza të ndryshme të pandemisë, si dhe nuk janë testuar kundër njëra-tjetrës.
Për dallim nga vaksinat tjera, doza e parë e vaksinës Sputnik V nuk është identike me dozën e dytë. Ato dallojnë, pasi secila shfrytëzon viruse të ndryshme si vektorë: një dozë virusi të pambëshjellur Ad26 në dozën e parë dhe një tjetër dozë virusi po ashtu të pambëshjellur Ad5 në dozën e dytë. Qendra Gamaleya beson se kjo gjë mund të ndihmojë në forcim të sistemit imunitar.
Krahasimi i çmimeve të vaksinave është proces i ndërlikuar, sepse të dhënat dallojnë varësisht prej vendit se ku importohet vaksina. Për shembull, Bashkimi Evropian ka negociuar një çmim prej 2.16 dollarësh për secilën dozë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, çka përbën çmim përgjysmë më të lirë, në krahasim me atë që është negociuar në Afrikën Jugore.
Cilat shtete dëshirojnë të përdorin vaksinën Sputnik V?
Deri më 12 mars 2021, Sputnik V është regjistruar apo miratuar për përdorim urgjent në më shumë se 40 shtete në botë. Në listë përfshihen shumë shtete të Amerikës Latine, mirëpo edhe disa shtete të Afrikës dhe Azisë. Në Evropë, vaksina është miratuar në Bjellorusi, Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, Hungari, Moldavi, Mal të Zi, San Marino, Serbi dhe Sllovaki.
Teksa shumica e vendeve të BE-së dëshirojnë të presin nëse Agjencia Evropiane e Ilaçeve jep dritën jeshile për këtë vaksinë, disa shtete kanë qenë më të shpejta. Hungaria dhe Sllovakia veçse kanë pranuar dozat e para. Në anën tjetër, Qeveria e Ukrainës ka njoftuar më 10 shkurt 2021, se ka ndaluar regjistrimin e vaksinave kundër COVID‑19, nga “shtetet agresore”, emërtim që ka përdorur për Rusinë nga viti 2015.
Në total, më shumë se 1.2 miliard doza të vaksinave janë porositur nga Rusia. Ndërkohë që po rritet numri i shteteve që miratojnë vaksinën Sputnik V, bëhet pyetja: A do të ketë kapacitet Rusia që të dorëzojë të gjitha vaksinat në kohë? Shumë prodhues vaksinash janë përballur me vonesa në prodhim dhe Qendra Gamaleya nuk bën përjashtim. Shembull në janar, Rusia ka paralajmëruar për vonesa në dërgesa në shtetet në Amerikën Latine, duke përfshirë vaksinat për Argjentinën dhe Meksikën.
Jashtë Rusisë, të paktën gjashtë shtete planifikojnë të prodhojnë vaksinën Sputnik V në territoret e tyre, përfshirë Indinë, Korenë e Jugut dhe Brazilin.
Sputnik V nëpër botë
(deri më 12 mars 2021)
Çfarë mendojnë rusët për Sputnik V?
Kur flasim për vaksinat në përgjithësi, rusët duket se janë goxha skeptikë. Sipas të dhënave të publikuara nga The Lancet, në shtator të vitit 2020, vetëm 21 për qind e rusëve kanë thënë se besojnë që vaksinat janë të sigurta dhe vetëm 35 për qind pajtohen se vaksinat janë efektive. Bazuar në këto të dhëna, Rusia renditet në mesin e vendeve me më së paku besim në vaksina, në gjithë botën.
Nuk është befasi që edhe qëndrimi për vaksina kundër COVID‑19 nuk përbën dallim. Në gusht të vitit 2020 vetëm rreth një e treta e profesionistëve shëndetësorë rusë kanë thënë se janë gati për të marrë vaksinën që Rusia ka nisur së prodhuari.
A dëshirojnë të vaksinohen mjekët rusë?
(Gusht 2020)
Në fund të janarit të vitit 2021, kur rusët janë pyetur nëse do ta merrnin vaksinën kundër koronavirusit kur të jetë e qasshme, 42 për qind kanë thënë po. Kjo ka qenë shifra më e ulët e regjistruar në mesin e shteteve ku ka kryer sondazhin Ipsos.
Në shkurt të vitit 2021, Qendra Levada ka pyetur rusët nëse dëshirojnë të marrin vaksinën Sputnik V. Vetëm 30 për qind e tyre kanë thënë po. Ata që kanë thënë jo, kanë përmendur mungesën e testimeve dhe mundësinë e efekteve anësore si arsye për shqetësim.
A duan rusët të vaksinohen?
(Shkurt 2021)
Në janar të vitit 2021, YouGov ka pyetur njerëzit në 17 shtete nëse mendojnë pozitivisht apo negativisht për vaksinën kundër koronavirusit, nëse ajo do të ishte zhvilluar në ndonjë shtet tjetër.
Rezultatet kanë treguar se njerëzit do t’i besonin ndonjë vaksine hipotetike, kryesisht në Gjermani, në Kanada apo Mbretëri të Bashkuar. Rusia, India, Kina dhe Irani kanë pasur pikë negative, që nënkupton se njerëzit do të ndiheshin më të shqetësuar sesa më të sigurt me vaksina të këtyre shteteve.
Njerëzit nga Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë në mesin e vendeve që do të ndiheshin më së paku rehat me vaksinat e zhvilluara në Rusi.
Qëndrimet rreth zhvillimit të mundshëm të vaksinës
(Shifrat më të larta tregojnë se njerëzit do të mendonin më pozitivisht për një vaksinë të zhvilluar në këtë shtet.)
Si po shkon procesi i vaksinimit në Rusi?
Autoritetet ruse nuk kanë publikuar rregullisht të dhëna sa i përket shkallës së vaksinimit. Megjithatë, bazuar në të dhënat e fundit, rreth 1.5 për qind e popullsisë së Rusisë ka pranuar të paktën një dozë të vaksinës Sputnik V deri më 10 shkurt 2021.
Ndonëse Rusia ka qenë shteti i parë në botë që ka nisur vaksinimin, ky vend është mbrapa Izraelit, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve tjera , ku vaksinimi ka nisur më vonë sesa në Rusi.
Përqindja e njerëzve që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID‑19
(shtetet e përzgjedhura deri më 10 shkurt 2021)
Sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, shpejtësia e fushatës së vaksinimit në Rusi është “normale”. Pavarësisht kësaj, në fillim të shkurtit ishte parashikuar se vaksinat janë duke u dhënë në Rusi me një të katërtën e shpejtësisë, në krahasim me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë që rritet numri i shteteve që dëshirojnë të porosisin vaksina Sputnik V, pyetjet janë rritur për strategjinë e Rusisë: “Ne ende jemi duke u pyetur veten pse Rusia është duke ofruar, teorikisht, miliona e miliona doza, ndonëse ende nuk ka vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar tërë njerëzit e vet”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një konferencë për media më 17 shkurt.
Rusia planifikon të vaksinojë 68 milionë njerëz këtë vit, mirëpo kombinimi i skepticizmit ndaj vaksinave, dhe pengesat e mundshme në prodhim, mund ta shtyjnë arritjen e qëllimit. Në krye të shqetësimeve është edhe fakti që presidenti rus Vladimir Putin ka hezituar që të vaksinohet, gjë që nuk ka ndihmuar në rritje të besimit për Sputnik V.
Vaksinat si mjet i diplomacisë
Ndonëse vaksina ruse duket se ka vërtetuar efektin që ka, disa ekspertë janë të shqetësuar se miratimi i saj është shpejtuar dhe se më shumë prioritet i është dhënë krenarisë kombëtare, sesa sigurisë.
Sputnik V tashmë ka nxitur tensione në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian, pasi Hungaria ka nisur të përdorë vaksinën para se ajo të miratohet nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve. Rusia ka furnizuar me vaksina edhe zonat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, pavarësisht ndalesës nga Kievi. Për më shumë, ka pasur supozime për fushatë ruse të dezinformimit që shënjestron shtetet spanjishtfolëse në Amerikën Lantine, me qëllim të bindjes së njerëzve se vaksinat ruse funksionojnë më mirë sesa ato nga Shtetet e Bashkuara.
E ardhmja e Sputnik V
Për shkak të mungesës së dozave të vaksinave, të prodhuara nga Perëndimi, shumë shtete tani kanë drejtuar sytë te vaksinat e zhvilluara nga Rusia. Kjo gjë po ndodh pavarësisht shqetësimeve për mungesë të transparencës nga Rusia, mungesë të miratimit për Sputnik V nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, çështje potenciale rreth prodhimit dhe besimi i ulët i rusëve në vaksinën e tyre.
Aktualisht Rusia është në mesin e pesë shteteve me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus. Pyetja e madhe është: A do të jetë në gjendje ky vend të vaksinojë popullatën e vet, por edhe t’ua dërgojë shteteve tjera vaksinat e premtuara?