Policia e Kosovës ka thënë se dy kosovarë janë sulmuar teksa kanë qëndruar në hyrje të sheshit në Mitrovicën e Veriut më 1 qershor. Ata janë dërguar për trajtim mjekësor, pasi që kanë pësuar lëndime trupore.
“Në Mitrovicë të Veriut janë sulmuar dy qytetarë meshkuj kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në hyrje të sheshit në Mitrovicë të Veriut. Viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia bën të ditur se njësitet policore “njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit”.
Ndaj këtij lajmi ka reaguar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili shkroi në Twitter se sulmi u krye nga “milicia fashiste e orkestruar dhe drejtuar nga Beogradi”
“Ky akt dhune dhe huliganizmi duhet të dënohet ashpër. Ato nuk do ta cenojnë rendin ligjor dhe kushtetues në Republikën tonë”, shkroi Sveçla.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës raportoi se edhe një zyrtar policor ka mbetur i lënduar gjatë tri sulmeve drejt automjeteve të Policisë në veri të vendit.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan - 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.