Viti 2019, filloi me paralajmërimet se do të jetë viti i aktivizimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës me seli në Hagë, çka edhe u konfirmua më pas me nisjen e intervistimeve të shumë prej figurave kryesore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Muajt e parë të 2019-ës, u karakterizuan me shumë thirrje nga SHBA dhe BE drejtuar autoriteteve në Kosovë që ta pezullojnë taksën 100 për qind që qeveria e Kosovës u kishte vënë importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, por këto thirrje nuk u përfillën nga qeveria në Prishtinë.
Pas ftesës për t’u paraqitur për intervistim në Hagë para Gjykatës Speciale, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje, duke e lënë më pas Kosovën për gjysmën tjetër të vitit me një qeveri në detyrë.
Viti 2019, ishte edhe vit i zgjedhjeve, të cilat sollën si rezultat një ndryshim, duke e vënë ish-opozitën fituese në raport me partitë që ishin në pushtet. Megjithatë, dy partitë ish-opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur që të arrijnë marrëveshje për qeverinë e re, duke e lënë paqartësinë të vazhdojë edhe më 2020.
Radio Evropa e Lirë ju sjell një përmbledhje të ngjarjeve kryesore të vitit 2019-të në Kosovë.