Ndërlidhjet

NATO vendos trupa shtesë në Kosovë


Pjesëtarë polakë të misionit të KFOR-it. Zveçan, 30 maj 2023.
Pjesëtarë polakë të misionit të KFOR-it. Zveçan, 30 maj 2023.

NATO ka vendosur që të dislokojë forca shtesë, pasi 30 ushtarë të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“NATO ka udhëzuar dislokimin e Forcave Operacionale Shtesë për Ballkanin Perëndimor, të cilat për shtatë ditë kanë qenë në gatishmëri për dislokim”, u tha në njoftim.

Më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin.

Protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it dhe përveç 30 ushtarëve të lënduar, është raportuar edhe për dhjetëra të lënduar nga ana e protestuesve.

Të martën, KFOR bëri të ditur se tre prej ushtarëve morën lëndime nga armët e zjarrit, teksa 27 ushtarët e tjerë kanë lëndime të ndryshme, por që të gjithë nuk kanë plagë vdekjeprurëse.

KFOR tha se ndërhyri në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit” dhe se paqeruajtësit “parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës”.

Serbët kanë protestuar edhe të martën në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Për shkak të rritjes së tensioneve, KFOR në fillim të javës njoftoi se ka shtuar prezencën në veri të Kosovës. Ky mision paqeruajtës ka rreth 4.000 trupa në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG