Ndërlidhjet

Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.
Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje duke festuar në Prishtinë.

Fitore bindëse e Vetëvendosjes

Kosova mbajti më 14 shkurt zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

  • Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur 1,794,862 persona.
  • Qytetarët kanë mundur të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2,382 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
  • Pjesë e garës në këto zgjedhje kanë qenë 28 subjekte politike me mbi 1,000 kandidatë për deputetë, të cilët kanë garuar për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.
  • Këto zgjedhje janë rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, 2020, e ka rrëzuar Qeverinë e Avdullah Hotit, të zgjedhur më 3 qershor.
  • Gjykata ka thënë se kjo qeveri ishte kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një viti e tre muajsh, ishte përcaktuese për qeverinë.
  • Vendimi i Kushtetueses ka përcaktuar po ashtu se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje. Ky vendim ka prekur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe disa kandidatë të tjerë për deputetë edhe nga parti të tjera.
  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 43,477 pako me fletëvotime, që janë dërguar me postë nga qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.
  • Këtë proces zgjedhor e kanë përcjellë nga afër rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar.
17:55 14.2.2021

Votimi i personave me COVID-19

Më shumë se 140 ekipe mobile kanë vizituar gjatë së dielës shumë familje kosovare, duke iu ofruar mundësinë që të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe personave të prekur me COVID-19, që janë të izoluar në shtëpitë e tyre.​

17:41 14.2.2021

Trendi i votimit në Kosovë

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 në Kosovë kanë votuar mbi 32 për qind e qytetarëve.

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka njoftuar se deri në orën 16:00, kanë votuar mbi 37 për qind e qytetarëve.

Këto janë zgjedhjet e teta që zhvillohen në Kosovë nga viti 1999.

Shihni trendin e votimit në këtë infografikë.

17:28 14.2.2021

Policia e Kosovës hap dy raste për cenim të fshehtësisë së votës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar qetë dhe pa incidente të mëdha.

Megjithatë, ai ka treguar se ky insistucion ka hapur dy raste, në Prishtinë dhe Prizren, për shkak të cenimit të fshehtësisë së votës.

Kelani ka thënë mes tjerash se për ditën e zgjedhjeve janë të angazhuar 6.000 zyrtarë policorë për ofrim të sigurisë në qendrat e votimit.

17:13 14.2.2021

DnV: 37.3 për qind dalje në votime

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se deri në orën 16:00 kanë votuar rreth 37 për qind e qytetarëve me të drejtë votë.

Eugen Cakolli nga ky koalicion, ka thënë se në procesin zgjedhor të këtij viti është vërejtur trend i shtuar i daljes në zgjedhje, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj janë qytetet me daljen më të madhe në votime, mbi 40 për qind, sa u përket komunave me shumicë shqiptare.

Komuna e Prizrenit ka dalë të jetë qyteti me më së paku pjesëmarrje në procesin zgjedhor.

Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë pjesëmarrjën më të lartë në votime, mbi 50 për qind.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG