Edhe dy orë e gjysmë për të votuar...
Kosnett: I takon popullit të Kosovës të vendosë se si do të duket qeveria e re
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se i takon popullit të Kosovës që të vendosë se si do të duket Qeveria e re e Kosovës.
Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të jenë të lira dhe të sigurta.
“SHBA-ja është e përkushtuar që të shohë zgjedhje të lira, të drejta dhe të sigurta. Por, nëse dikush u thotë se SHBA-ja ka ndonjë rezultat të parapëlqyer, kjo thjesht nuk është e vërtetë", tha Kosnett për mediat në Prishtinë, pas vizitës që i bëri Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai po ashtu inkurajoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.
"Regjistrimi paraprak", kusht që të votojnë të shtrirët nëpër spitale
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), është shprehur i shqetësuar nga fakti që pacientëve të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk po u mundësohet e drejta e votës.
“SHSKUK kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mundësuar votimin e pacientëve të shtrirë në klinika dhe spitalet e përgjithshme, po ashtu ta mundësojë edhe votimin e stafit shëndetësor, që sot janë në vendet e tyre të punës”, është thënë në reagim.
Aty po ashtu është përmendur edhe se sipas kërkesës së KQZ-së, SHSKUK-ja ka dorëzuar me kohë në KQZ të gjitha listat me pacientët e shtrirë në klinika dhe spitale, “duke paralajmëruar KQZ-në, se shumë nga pacientët do të lirohen deri në ditën e zgjedhjeve dhe do të hospitalizohen pacientë tjerë”.
Mirëpo kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë në një konferencë për media se parakusht i votimit në këtë mënyrë ka qenë regjistrimi deri më 11 shkurt.
“Numri i personave, të cilët janë të shtrirë nëpër institucione, ka qenë deri më datën 11 shkurt, dhe të gjithë ata të cilët kanë shprehur gatishmëri të votojnë, janë regjistruar si votues me nevoja të veçanta dhe te të njëjtit kanë shkuar ekipet mobile. Po ashtu ne jemi të vetëdijshëm se nga data 11 deri më sot me siguri që ka persona tjerë, të cilët janë shtruar në spitale, mirëpo është procedura, që së pari duhet të regjistrohen si votues”, ka thënë Daka.
KQZ: Mbi 32 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 15:00
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 15:00 në gjithë territorin e Kosovës kanë votuar 32.32 për qind apo 567.934 qytetarë të Kosovës.
Daka ka thënë se në periudhën e njëjtë kohore, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kanë votuar 29.28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 554.750 persona.