KQZ-ja lejon votimin me letërnjoftim të skaduar
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, ka thënë se qytetarët e Kosovës, që janë në Listat Përfundimtare të Votuesve, do të mund të votojnë edhe me letërnjoftime të skaduara.
Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhje është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë.
Burrat vs. gratë në votime
A e keni ditur se pavarësisht pse gra ka më shumë në Kosovë, burrat votojnë më tepër nëpër zgjedhje?
Edhe atë gati për 100,000 më shumë.
DnV: 19.8 është përqindja e votimit deri në orën 13:00
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka thënë se deri në orën 13:00 kanë votuar 19.8 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Margjina e gabimit sipas këtij koalicioni është 0.52 për qind.
Sipas të dhënave të vëzhguesve të DnV-së, pjesëmarrja e qytetarëve të Prishtinës në zgjedhje është 2 për qind më e madhe në krahasim me qytetet tjera.
Qytetet si Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, është thënë se kanë regjistruar daljet më të ulëta.
“Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10% mesataren e daljes në nivel vendi”, është thënë mes tjerash në njoftim.
IKD: Në disa qendra votimi nuk po respektohen masat kundër koronavirusit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar disa fotografi nëpër qendra të votimit, në të cilat nuk po respektohen masat për luftim të koronavirusit.
“Deri më tani, gjatë orëve të para të votimit, në shumë vendvotime është vënë re mosmbajtja e distancës nga një numër i madh i individëve dhe mospërdorimi i maskave. Madje, në disa vendvotime nuk ka të vendosur as dezinfektues duarsh”, është thënë një njoftim.
Si asnjëherë më parë, Kosova po mban zgjedhjet parlamentare në kohë të pandemisë.
Edhe partitë politike janë kritikuar gjatë fushatës zgjedhore se nuk kanë respektuar masat e distancës fizike dhe vendosjes së maskës nëpër shumë takime me qytetarë.
Shihni disa prej tyre.