Mbyllja e vendvotimeve
Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Zgjedhjet kanë kaluar qetë, me disa parregullsi, të cilat nuk e dëmtojnë procesin.
PDK dhe LDK pretendojnë se prijnë në disa komuna
Pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve, sikurse edhe në proceset e kaluara, partitë politike kanë nxituar me paraqitjen e rezultateve, sipas pretendimeve të tyre. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ishin të parat që përmes konferencave për gazetarë i shpallën pretendimet e tyre rreth rezultateve preliminare.
Partia Demokratike e Kosovës pretendon se në total, është rikonfirmuar se mbetet partia më e madhe në Kosovë. Sipas deputetes, Blerta Deliu Kodra, e cila është paraqitur në një konferencë për media, duke iu referuar vetëm rezultateve në komunat e mëdha, PDK aktualisht është e para në Prizren, Mitrovicë dhe Ferizaj. Kurse rezultate të mira, ajo ka thënë se ka shënuar edhe në Gjakovë, Gjilan, Suharekë dhe Podujevë.
Në një konferencë për medie të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se ka shpresë se rreth gjysmën e komunave të Kosovës, do të qeverisen nga kjo parti.
“Do të kemi mbi 15 komuna ose gjysmën e komunave, të cilat janë më shumicë shqiptare në Kosovës, të cilat do të drejtohen nga LDK-ja. Po ashtu, sigurisht që do të hyjmë në balotazh edhe në Novobërdë, meqenëse edhe atje nuk kanë alternativë tjetër përpos kandidatit tonë për kryetar”, ka thënë Mustafa.
Policia: 14 incidente gjatë procesit zgjedhor
Policia e Kosovës, përmes një komunikate por medie, ka vlerësuar se “në aspektin e sigurisë në përgjithësi procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente madhore, të cilat në një mënyrë apo tjetër nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”.
Megjithatë, Policia e Kosovës ka njoftuar se në gjithë territorin e vendit “janë evidentuar disa raste penale, si dhe 14 incidente të natyrave të ndryshme, të cilat Policia e Kosovës i ka trajtuar dhe menaxhuar me sukses sipas procedurave të parapara ligjore”.
Lidhur me këto raste, në cilësinë e personave të dyshuar, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë ndaluar pesë persona.
Prokurori i Shtetit: 5 persona janë ndaluar
Prokurori i Shtetit, ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve, deri në orën 19:00, janë raportuar tri raste me pesë persona të ndaluar, lidhur me procesin zgjedhor.
“Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprës penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’", si dhe "një person është ndaluar me dyshimin për kryerje të veprës penale, ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’”, thuhet në komunaikatën e Prokurorit të Shtetit.
Dy persona të tjerë, sipas Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprave penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe keqpërdorimi i drejtës së votimit”.
Prokuroria apo ashtu njofton se në Mitrovicë të Jugut, janë ndaluar 6 persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Asgjësim i dokumenteve të votimit”. Këta të fundit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Facebook Forum