Ndërlidhjet

Stradner: Rusia me strategji të përshkallëzimit të konfliktit Kosovë-Serbi


 Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington.

Situata në veri të Kosovës, për dallim nga herët tjera, është më serioze dhe mund të përshkallëzohet për shkak të provokimeve shtesë, si nga Beogradi, ashtu edhe nga ndikimi rus. Kështu thotë Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se NATO-ja duhet të përdorë retorikën që do t’ia bëjë të ditur Serbisë dhe Rusisë se “nuk është lodër”.

“Rusisë, për ta destabilizuar Perëndimin, nuk i duhet që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, por i mjafton që të krijojë vatra të reja, në mënyrë që pesha e përqendrimit të zhvendoset plotësisht në veprimet tjera. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën”, thotë Stradner.

Siç thekson ajo, “Rusisë i konvenon konflikti në Ballkan” dhe aty po zhvillon luftë hibride.

Stradner thotë se Rusia kurrë nuk ka investuar vetëm në një parti ose në një njeri dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në Serbi.

“Ajo ndikon në pushtetin aktual, në SNS-në [Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit] dhe gjithashtu edhe në opozitën, e cila mjaft shpesh i shpreh qartë qëndrimet e saj ruse”.

Përshkallëzimi i konfliktit, sipas saj, është një nga strategjitë ushtarake të Rusisë, në mënyrë që veten ta vendosë si ndërmjetësues. Kjo po ndodh edhe në rastin e Kosovës, vlerëson Stradner.

“Rusia, si ndërmjetësuese, nuk do të jetë e pranueshme për Kosovën. Por, ajo dëshiron që të vendoset si ndërmjetësuese, që së bashku me Amerikën dhe Bashkimin Evropian, të provojë ta zgjidhë këtë konflikt, gjë që sigurisht se nuk do të ndodhë”.

Ajo thekson se i ashtuquajturi plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është i vështirë për Serbinë dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk do ta pranojë.

Përshkallëzimi më i madh i situatës

Radio Evropa e Lirë: Zonja Stradner, ditëve të fundit, jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të situatës në veri të Kosovës. Sa të rrezikshme e shihni këtë situatë?

Ivana Stradner.
Ivana Stradner.

Ivana Stradner: Për dallim nga herët tjera, po shoh presion mjaft të madh të Rusisë, që po e minon situatën konkrete. Unë mendoj se, megjithatë, në këtë moment nuk duhet nxituar dhe të flitet për luftë. Por, gjithashtu, mendoj që këtë situatë duhet parë me seriozitet, sepse për dallim nga herët tjera, kur ishte ‘përshkallëzoje situatën për ta shtensionuar’, mendoj se tash duhet pritur fundin e javës dhe të shohim se si do të zhvillohet takimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe në çfarë drejtimi. Kështu që një prognozë më të saktë mund ta kemi pas të enjtes.

Radio Evropa e Lirë: Ditëve të fundit ka pasur sulme ndaj pjesëtarëve të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës. Në fakt, një polic është lënduar me armë zjarri. Serbët kanë vendosur barrikada në disa rrugë në veri, ndërkaq persona të caktuar janë parë duke qarkulluar të maskuar dhe të armatosur. Sa është reale mundësia e një përplasjeje apo konflikti të armatosur në veri të Kosovës? Kemi lexuar se edhe ambasadori rus në Serbi ka thënë se situata rreth Kosovës është mjaft e rrezikshme dhe mund të arrihet deri te konflikti.

Ivana Stradner: Pikërisht ashtu. Siç thashë, ky është një përshkallëzim shumë më i madh sesa herëve të kaluara. Prandaj, duhet kushtuar vëmendje të veçantë ndaj të gjitha këtyre detajeve. Pajtohem kur folët për ambasadorin (rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko), i cili vuri në dukje pikëpamjet e tij. Kjo është pikërisht ajo që unë po përpiqem të vë në dukje, se kur krahasohen herët e kaluara, përshkallëzimet nuk kanë qenë kaq të mëdha.

*Video: Bllokadat në veri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, më herët nuk e kemi dëgjuar në mënyrë kaq konkrete ambasadorin rus sesa tash...

Ivana Stradner: Absolutisht. Unë, si dikush që i përcjell mediat ruse dhe ndikimin rus në Ballkan, një retorikë të tillë nuk e kam dëgjuar më herët. Madje, herëve të kaluara, hapur kanë thënë se si ky është vetëm provokim, se ky është vetëm blof dhe se nuk do të ketë fare konflikt. Kësaj here, Telegrami rus vërtet ka vluar dhe në të gjitha anët flet për mundësinë e konfliktit. Është interesante që ata nuk janë vetëm troll-ë dhe bot-ë (profile të rrejshme) të thjeshtë, por janë, nëse mund të them, kanale serioze ruse, përfshirë edhe Konstantin Malofeyev (oligark rus), i cili ka deklaruar se ai qëndron në krah të Serbisë, qëndron në krah të Vuçiqit, që ata (serbët) të jenë të qëndrueshëm, se rusët janë këtu dhe se Kosova është Serbi. Ai e ka thënë këtë hapur.

Të mos flas për disa faqe të tjera të internetit që janë të lidhura me grupin Wagner, qëhapur bëjnë thirrje për konflikt. Gjithashtu, ato flasin se si Serbia dhe autoritetet serbe nuk janë mjaftueshëm me orientim patriotik dhe se duhet të jenë shumë më të ashpra për të mbrojtur Kosovën. Pikërisht kjo është arsyeja se pse unë jam e brengosur se kjo situatë mund të përshkallëzohet për shkak të provokimeve shtesë, si nga Beogradi, ashtu edhe nga ndikimi i jashtëm.

NATO-ja “nuk është lodër”

Radio Evropa e Lirë: Autoritetet e Kosovës e kanë rritur praninë policore në veri të vendit. Serbia po e sheh këtë si kërcënim për komunitetin serb që jeton atje. Ajo ka thënë se do të kërkojë nga KFOR-i që të kthejë rreth 1.000 pjesëtarë të forcave serbe në Kosovë. Në fakt, çfarë nënkuptojnë këto nisma që vijnë nga Serbia?

Ivana Stradner: Edhe herën e kaluar KFOR-i ka thënë hapur që NATO-ja do të reagojë në rast të çfarëdo konflikti. Unë mendoj që ky është një hap në drejtimin e duhur dhe këtë herë, absolutisht, duhet të përdorë retorikën e njëjtë, në mënyrë që të tregojë se NATO-ja nuk është një lodër.

Në fakt, Rusia pikërisht dëshiron ta dëshmojë që përmes provokimeve të nxisë NATO-n dhe të tregojë se NATO-ja po bën blof. Në anën tjetër, kjo që ju e përmendët lidhur me KFOR-in dhe për Serbinë, e cila po kërkon që të dërgojë ushtrinë (në Kosovë), unë nuk e di se si do të reagojë KFOR-i.

Por, kjo nuk është aq e rëndësishme aq sa është e rëndësishme që presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ta ketë alibinë para qytetarëve të saj dhe të thotë ‘unë dhashë gjithçka nga vetja, unë i provova të gjitha’. Ky vendim i Vuçiqit ka të bëjë me atë që topin ta hedhë në terrenin e NATO-s, në mënyrë që NATO-ja të reagojë dhe të jetë në defanzivë, ndërkaq që presidenti Vuçiq të ketë alibi dhe të thotë ‘unë i provova të gjitha, por nuk pati sukses’. Këtë situatë duhet ta shohim nga disa kënde. Pra, të shohim se cila porosi po i dërgohet popullit serb, cila porosi po i dërgohet Perëndimit dhe cila Rusisë.

Aktualisht, nëse e shikojmë mirë se cilat porosi po shkojnë nga Beogradi, nga njëra anë po shkon porosia që ‘unë po bëj gjithçka për t’u ruajtur paqja’. Ndërkaq, në anën tjetër, shkon porosia ‘ne po e dërgojmë ushtrinë (në Kosovë)’. Pra, janë porosi të ndryshme për grupe të ndryshme.

Rusisë “i konvenon krijimi i vatrave të reja”

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, autoritetet serbe kanë theksuar që pala e Kosovës po përpiqet që ta pastrojë veriun nga serbët. Autoritetet në Kosovë kanë vlerësuar se veprimet e Serbisë kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de-facto të shtetit të Kosovës dhe se këto veprime kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus. A kanë bazë reale këto vlerësime?

Ivana Stradner: Unë kam shikuar se çfarë kanë publikuar gazetat serbe lidhur me këtë temë. Nuk isha e befasuar, sepse ishte pikërisht retorika agresive, e cila po zgjat tash e disa javë, e mbase edhe me muaj. Pajtohem me ju që këtu ka jashtëzakonisht shumë ndikim rus. Ndërkaq, për të gjetur shkakun, duhet të pyesim veten se pse Rusisë i konvenon konflikti në Ballkan.

Në një anë, nëse e shikoni Rusinë, ajo e ka shfrytëzuar Kosovën si precedent për të arsyetuar intervenimin e saj në Ukrainë. Këtë nuk e ka bërë vetëm një herë, por disa herë, për arsyetime të ndryshme. Por, ekziston diçka gjeopolitike që është shumë më e rëndësishme. Marrë parasysh që Rusia po humbë në Ukrainë, sepse mundësitë e saj ushtarake janë gjithnjë e më të dobëta, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme, sepse doktrina e saj ushtarake është e bazuar në luftën hibride.

Rusisë, për ta destabilizuar Perëndimin, nuk i duhet që t’i shtyjë tanket në Uashington ose Bruksel, por i mjafton që të krijojë vatra të reja, në mënyrë që pesha e përqendrimit të zhvendoset plotësisht në veprime tjera. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën. Shikoni se çfarë po ndodh me Azerbajxhanin dhe Armeninë, shikoni krizën ekzistuese në Afrikë që ka të bëjë me ushqimin dhe destabilizimin shtesë që mund të përhapet si krizë e refugjatëve në Evropë. Shikoni se çfarë po ndodh me propagandën që ka të bëjë me gazin. Kështu që kjo është vetëm një pjesë e strategjisë shumë më të madhe të Moskës se sa ajo që ndërlidhet vetëm me Kosovën. Duhet shikuar në mënyrë kulistike. Se a e do t’i ndihmojë Moska Serbisë - në kuptimin që të dërgojë tanke ose armë shtesë në Beograd - kjo nuk është e mundur në këtë moment.

Por, sërish them se kjo nuk është e rëndësishme, sepse Rusia së fundmi ka hapur makinerinë e saj propaganduese, siç është RT-ja (Rusia Today), ka hapur Sputnikun, që tashmë punon, ekziston Qendra Wagner që është e hapur. Kështu që, e gjithë kjo i kontribuon një intensiteti të ri të luftës hibride në Ballkan. Se a do të jetë ky një konflikt serioz ose jo, këtë nuk mund ta them në këtë moment. Por, mund të them me siguri se ky është vazhdim i luftës serioze informative dhe luftës hibride, e cila shërben për destabilizimin e pjesës tjetër të Evropës.

Prania konkrete ruse në veri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë: A keni vënë re, a është i pranishëm ndikimi rus konkret në zhvillimet në veri të Kosovës?

Ivana Stradner: Absolutisht. Nëse e shikoni grupin Wagner dhe çfarë mesazhesh dërgojnë kanalet e tij në Telegram, kjo është dëshmi absolute e luftës së tyre informative. Të mos flasim për qendrën e tyre në Nish dhe aktivitetet që kanë aty. Të mos flasim për dërgesat e armëve (për Serbinë) viteve të fundit. Siç thashë, (Konstantin) Molofeyev deklaroi (më 12 dhjetor) që serbët dhe Vuçiq të qëndrojnë dhe se rusët do të bëjnë gjithçka që t’i ndihmojnë. Kështu që, tensionet shtesë të cilat i nxisin ata, është një sinjal i madh për destabilizim. Të mos flas që edhe vetë ambasadori i Rusisë në Serbi tha hapur që ky është një hap drejt konfliktit të armatosur.

Rusia me ndikim në pushtetin dhe opozitën serbe

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është ndikimi rus në raportet brenda vetë autoriteteve në Serbi dhe sa ato më pas reflektojnë në zhvillimet rajonale?

Ivana Stradner: Rusia kurrë nuk ka investuar vetëm në një parti ose në një njeri. Kështu ndodh edhe në Serbi. Ajo ndikon në pushtetin aktual, në SNS-në (Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit) dhe gjithashtu edhe në opozitën, e cila mjaft shpesh i shpreh qartë qëndrimet e saj ruse. Ju mund ta shikoni që pikërisht (Aleksandar) Vulin është zgjedhur drejtor i BIA-s (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë). Të mos flasim për marrëdhënien e tij me Rusinë dhe për dokumentet që ia dha (sekretarit të Këshillit rus të Sigurisë, Nikola) Patrushevit, duke e vendosur në situatë tejet të palakmueshme opozitën në Rusi, para disa muajsh. E gjithë kjo flet se sa është e madhe kjo dhe sa gjatë po ndodh.

Tash, për shkak të luftës në Ukrainë, mjaft njerëz kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh në Ballkan. Por, kjo nuk është asgjë e re. Kjo po zgjat tashmë me vjet të tëra. Investimet e tyre (rusëve) në media, në sektorin e energjetikës, në sport, janë të gjitha ato që ata kanë bërë viteve të fundit - mund të them që nga viti 2014 e këndej.

Radio Evropa e Lirë: Që ta kemi të qartë, çfarë i ka ofruar Vulini Rusisë?

Ivana Stradner: Opozita e Rusisë ka pasur një mbledhje në Beograd. Transkriptet nga ajo mbledhje, Vulini ia dorëzoi Patrushevit kur është takuar me të. Kjo ka ndodhur para disa muajsh.

Rusia dëshiron rolin e ndërmjetësueses

Radio Evropa e Lirë: Kremlini, përmes zëdhënëses së Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, më 12 dhjetor, ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike të tensioneve në veri të Kosovës. Megjithatë, Zakharova ka thënë se Moska do të vazhdojë të ndihmojë Beogradin, siç ka thënë, për të mbrojtur interesat legjitime nacionale për sa i përket Kosovës. A mendoni se ekziston zgjidhja diplomatike në qoftë se Moska vazhdon të ndihmojë Beogradin?

Ivana Stradner: Një nga strategjitë ushtarake të Rusisë është pikërisht përshkallëzimi i konfliktit, në mënyrë që veten ta vendosë si ndërmjetësuese. Këtë kemi rastin të shohim në rajonin e atjeshëm. Mund ta marrim si shembull konfliktin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, si një prej strategjive. Hyrja e Rusisë si ndërmjetësuese, në çfarëdo momenti, nuk do të jetë e pranueshme për Kosovën. Por, ajo dëshiron që të vendoset si ndërmjetësuese, që së bashku me Amerikën dhe Bashkimin Evropian, të provojë ta zgjidhë këtë konflikt, gjë që sigurisht se nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të jetë e pranueshme as për Beogradin. Ja edhe (zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry) Peskov tha hapur se Vuçiqi nuk ka kërkuar ndihmë nga Rusia.

A do ta pranojë Serbia planin-franko-gjerman?

Radio Evropa e Lirë: Tensionet në veri të Kosovës, por edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ngritur dukshëm pikërisht në kohën kur Bashkimi Evropian ua ka dorëzuar autoriteteve në Kosovë dhe atyre në Serbi tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve. A i shihni këto dy zhvillime si të ndërlidhura?

Ivana Stradner: Unë nuk mund ta gjej një kozalitet (shkak-pasojë) konkret në këtë dhe se a e ka sjellë këtë situatë konkretisht plani franko-gjerman. Unë këtë situatë e shoh si proces të vazhdueshëm, sepse kështu mund të themi se ka qenë edhe propozimi paraprak.

Çdo herë kur jemi para takimeve të Bashkimit Evropian ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodh diçka që ndikon në përshkallëzim. Por, sidoqoftë, unë kam lexuar për planin konkret. Është mjaft interesant, sepse thotë që Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë zgjidhjen ekskluzivisht me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet dhe çfarëdo përdorimi i dhunës. Këto janë gjëra mjaft të përgjithësuara, por ajo që është interesante ndërlidhet me hyrjen (e Kosovës) në organizata ndërkombëtare. Natyrisht, në këtë moment, për Serbinë kjo është e vështirë dhe nuk do të pranojë, gjë për të cilën ka folur edhe presidenti Vuçiq. Ai ka shtuar, po ashtu, se Serbia nuk do të poshtërohet dhe nuk do të detyrohet që ta njohë Kosovën formalisht. Por, në atë moment, ai gjithashtu ka thënë se duhet gjetur një zgjidhje, sepse Serbia është në rrugën evropiane.

Mua më duhet të them se Serbia është në rrugën evropiane, por nuk jam aq e sigurt që qëllimi i saj është vetë hyrja në Bashkimin Evropian, për shkak se autoriteteve aktuale më shumë u konvenojnë grantet dhe ndihma shtesë ekonomike për Serbinë sesa vetë hyrja në BE. Kjo për shkak se hyrja në BE do të nënkuptonte përshtatjen në institucionet e sundimit të ligjit. Thjesht, në regjimin hibrid, të cilin e ka aktualisht Serbia, diçka e tillë nuk do të ishte e mjaftueshme.

T’i kthehem konkretisht temës së planit franko-gjerman. Ne do të shohim se si do të zhvillohet situata pas takimit me Bashkimin Evropian. Por, unë nuk e besoj që për Serbinë do të jetë e pranueshme aq lehtë që të mbështesë hyrjen e plotë të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, sepse kjo do të nënkuptonte njohjen e Kosovës në këtë moment. Kjo nuk i konvenon Serbisë dhe as Rusisë. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që Serbisë duhet t’i vihen disa kufij. Pra, ndihma më e paktë financiare apo masa të tjera shtesë. Serbia ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Pra, nuk është e mjaftueshme që Bashkimi Evropian vetëm të nisë një plan të tillë dhe të mendojë se çështja do të zgjidhet. Vetëm t’ua përkujtoj se para disa javësh (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep) Borrell tha hapur se shpreson që ky është fundi i situatave intensive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk kanë kaluar as disa javë dhe ja, tashmë jemi, siç ka thënë ambasadori rus, buzë konfliktit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG