Ndërlidhjet

Erdogan: Përparimi në dialog, mënyra e vetme për paqe afatgjatë


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi më 3 shkurt 2023.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi më 3 shkurt 2023.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se përparimi në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon.

Në një postim në Twitter, Presidenca turke ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit, Erdogan ka theksuar se Turqia është e gatshme të kontribuojë në procesin e dialogut.

Turqia i bashkohet kështu reagimeve nga vendet e Perëndimit që bënë thirrje për kthim në dialogun e Brukselit dhe qetësim të situatës në tri komuna në veri të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

Në këto komuna, të banuar me shumicë serbe, që nga 26 maji janë zhvilluar protesta nga serbë lokalë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj dhe më 31 maj bëri të ditur se një polic ka mbetur i lënduar nga sulmet e kryera ndaj tri veturave të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG