Çfarë thonë rrugët e Prishtinës?

3 Korrik 2022
Krenare Cubolli, Bujar Tërstena

Edhe rrugët flasin në Prishtinë. Përmes grafiteve e muraleve. Çfarë nuk gjen në to... Mesazhe të dashurisë, zemërimit, krenarisë e zhgënjimit.

Ka edhe plot pyetje që kanë mbetur pa përgjigje.

Nuk mungojnë as shumë vepra të artistëve botërorë, të cilët u kanë dhënë jetë lagjeve me banesa gri dhe shtëpi pa fasada.

Por, janë mesazhet e banorëve ato që të ndjekin hap pas hapi.

Në Kosovë, gratë përbëjnë shumicën e viktimave të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021, si viktima të dhunës në familje janë raportuar 1,986 gra dhe 500 burra.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, këtë vit në Prishtinë janë mbajtur marshe me thirrjen: “Drejtësi për gratë e vrara”.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, 48 gra janë vrarë nga burrat në Kosovë që nga viti 2010.

Ky grafit i është dedikuar 18-vjeçares M.O. nga Ferizaj, e cila është vrarë më 22 gusht të vitit 2021.

Partneri i saj D.K. dhe i miku i tij A.S. janë arrestuar nga policia si të dyshuar për këtë vrasje. Që të dy e kanë dërguar të ndjerën pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Një koment në rrjetet sociale, që, pos tjerash, thoshte se “vajzave duhet rikujtuar sa më shpesh se nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”, ka nxitur zemërim në publik.

Thirrje për barazi gjinore

Grafite të tjera që bëjnë thirrje për dënimin e ngacmimeve seksuale dhe për barazi gjinore.

Në disa lagje të ndryshme të Prishtinës përsëritet thirrja e njëjtë: “Ku është Ukshin Hoti?

Veprimtari Hoti ka qenë i burgosur në burgun e Dubravës në Kosovë dhe që nga viti 1999 nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016, derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për një sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit 2016.

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë fillimisht e kanë cilësuar vdekjen e tij si "vetëvrasje", por familja Dehari ka kërkuar që të bëhet ekspertizë ndërkombëtare, për shkak të dyshimeve për këtë konstatim.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë në muajin prill se ekspertiza zvicerane nuk ka gjetur ADN tjetër përveçse të Deharit.

“Nuk dua të jetoj, dua të largohem"
“Nuk dua të jetoj, dua të largohem"

Pamja e një vajze të mërzitur, me një valixhe në dorë, mund të portretizojë shumë të rinj që e shohin perspektivën jashtë Kosovës.

Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në SHBA, e publikuar në nëntor të vitit të kaluar, ka treguar se 78% e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç do të largoheshin “përfundimisht” ose “ndoshta” nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.

Papunësia në Kosovë është rreth 26 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Ky punim i bën thirrje Bashkimit Evropian që të mos tallet me shtetasit e Kosovës - sidomos për vizat.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në, edhe pse, sipas zyrtarëve evropianë, i ka përmbushur kriteret.

Megjithatë, janë disa vende, si Franca, që shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Por, nuk është gjithçka zi e terr në kryeqytet.

Kosova i ka edhe emrat që i bëjnë shtetasit e saj krenarë.

Nexhmije Pagarusha është në mesin e tyre.

Artistja ka vdekur në vitin 2020 në moshën 86-vjeçare.

Me titullin “Artiste e Merituar”, ajo njihej edhe si “Bilbili i Kosovës”.

Kënga “Baresha”, e realizuar në vitin 1966, konsiderohet si një nga kryeveprat e interpretimeve të Pagarushës.

Artistja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, është kthyer po ashtu në rrëfim suksesi.

Fama e 26-vjeçares po zgjerohet në gjithë botën.

Ajo është fituese e çmimeve muzikore Brit dhe Grammy.

Lipa ka krijuar së voni buletinin e saj javor - Service95 - me rekomandime për ushqime, veshje dhe vende për të vizituar.

Ajo po provon veten edhe në rolin e moderatores, duke realizuar podcastet e saj, At your Service.

Dikush është kujtuar edhe për të shpërndarë doza dashurie për kalimtarët.

E ku? Në objektin e matësit elektrik.

Por, fundja, s’ka rëndësi se ku. Mjafton të duhemi.

Dikush është... më romantik.

Një tjetër fjalëpak.

Doza tjera pozitiviteti në kryeqytet përcjell edhe macja M. Chat.

Ky grafit është parë për herë të parë në qytetin Orleans të Francës më 1997 dhe tani është rikrijuar në shumë vende të botës.

Ky grafit është parë kryesisht nëpër oxhaqe, por, me kalimin e kohës, është përdorur edhe nëpër stacione trenash dhe vende të tjera.

A mendoni edhe ju njëjtë për jashtëtokësorët? Nëse veç ekzistojnë...

Ndonjëherë mjaftojnë vetëm ngjyrat. Sikurse në këto fusha basketbolli.

Përmes Festivalit Meeting of Styles - i cili është mbajtur tashmë për pesë vjet në Prishtinë - kryeqyteti është pasuruar me mbi 215 vizitime nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë në mure dhe në hapësira të braktisura.

Ata janë të lirë për të shpërfaqur në mure artin e tyre.

Edicioni i këtij viti mbahet më 13-15 gusht.

Ka edhe rrugë të tjera që janë veshur me lloj-lloj ngjyrash.

Cilat ju pëlqejnë më shumë?

Kontribuoi me fotografi shtesë: Arben Hoti