Ndërlidhjet

Vuçiq dhe Zelensky bisedojnë për “paprekshmërinë” e kufijve të Ukrainës


Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, të Moldavisë dhe Ukrainës në Athinë të Greqisë. 21 gusht 2023.
Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, të Moldavisë dhe Ukrainës në Athinë të Greqisë. 21 gusht 2023.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, por edhe për situatën “në Kosovë dhe Metohi”.

“Ne iu referuam situatës në Ukrainë dhe Kosovë e Metohi. Theksova edhe njëherë se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës, gjë të cilën e kemi thënë qartë që nga nisja e konfliktit”, shkroi Vuçiq në një postim në Instagram.

Ndërkaq, Zelensky tha se me Vuçiqin zhvilloi një “bisedë të mirë” për Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe për “paprekshmërinë e kufijve”.

“E ardhmja e përbashkët e shteteve tona është në shtëpinë e përbashkët evropiane”, shkroi Zelensky në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.

Dy liderët u takuan në Athinë pas një darke joformale me zyrtarët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, ata të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë.

Beogradi, aleat i Moskës, nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

Megjithatë, Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Vuçiq ka deklaruar më herët se Serbia po paguan “çmim të lartë” për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kosova, edhe pse nuk njihet nga Ukraina, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka ofruar ndihma për ukrainasit, përfshirë strehimin e disa gazetarëve të këtij vendi.

Në fillim të gushtit, Vuçiq kishte paralajmëruar se nëse Ukraina do të njohë Kosovën “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë".

Ky reagim i presidentit serb kishte ardhur pasi ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, deklaroi më 8 gusht se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Mes Kosovës – që ka shpallur pavarësinë më 2008, të cilën Serbia nuk e njeh – dhe Ukrainës, zyrtarët nga Moska shpesh kanë tërhequr paralele.

Në prill të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.

Këto krahasime janë cilësuar si "injorancë" nga zyrtarët në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG