Kurti: Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - pa zgjedhje të reja.
“Unë e kuptoj që zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës kanë pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet, e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe se kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt “po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”.
“Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik, e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e [ish liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Chollet inkurajon Vuçiqin të ndihmojë në zbutje të krizës në veri të Kosovës
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet ka thënë se në bisedën që e ka zhvilluar me Vuçiqin, më 2 qershor, i ka kërkuar atij që të kthehet drejt rrugës së normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të nderuar lexues,
Këtu po e përmbyllim raportimin për ngjarjet në veri.
Do të rikthehemi në mëngjesin e së dielës.
Faleminderit që jeni me ne!
Përshëndetje të nderuar lexues,
Po e rikthejmë mbulimin e drejtpërdrejt për zhvillimet në veri të Kosovës.
Qëndroni me ne!