Kryetari i Zubin Potokut thotë se “nuk ka kushte pune” në objektin komunal
Izmir Zeqiri, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se në ndërtesën kryesore të komunës së Zubin Potokut nuk ka kushte për punë, prandaj ai vazhdon të ushtrojë detyrën e tij të kryetarit të komunës nga zyra për komunitete në fshatin Çabër. Qeveria e Kosovës thotë që krerët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, duhet të punojnë nga zyrat e tyre në objektet komunale.
Të nderuar lexues, në vijim po ju sjellim një përmbledhje të lajmeve të ditës në lidhje me situatën në pjesën veriore të Kosovës:
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës. Këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Franca dhe Gjermania u kanë kërkuar udhëheqësve të Kosovës dhe serbëve që të organizojnë zgjedhje të reja në katër komunat veriore Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimet nëpër territorin e Serbisë.
- Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se shpreson shumë se situate në pjesën veriore të Kosovës do të qetësohet sa më shpejt në mënyrë që të mos ketë nevojë për pasoja të reja për Kosovën.
- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
- Serbët vazhduan protestat në komunat veriore. Në protesta nuk u shënua ndonjë incident serioz. Në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut u rrahën nga persona të maskuar dy qytetarë shqiptarë.
Borrell prezanton tri kërkesa për Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka prezantuar tri kërkesa të qarta për Kosovën dhe Serbinë.
Borrell ka thënë se kërkesat janë si vijon:
- Zgjedhje t reja lokale [në komunat veriore].
- Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës [në zgjedhje].
- Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Borrell ka thënë se dështimi për ta bërë këtë do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë më Bashkimin Evropian.
Këto kërkesa Borrell i ka prezantuar pak orë pas takimit që u zhvillua në mes të tij, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Schloz, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti: Jam i përkushtuar të punoj me SHBA-në për ulje të tensioneve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, Jon Finer.
Kurti tha se është i përkushtuar që të punojë me SHBA-në në uljen e tensioneve në pjesën veriore.
Mirëpo, që të ndodhë kjo, sipas Kurtit, duhet t’i jepet fund menjëherë dhunës së shkaktuar nga “turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë” deri në zgjedhjet e reja në ato komuna.