Macron paralajmëron “vendim të qartë” për situatën në veri
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës.
Macron tha se për një gjë të tillë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti francez i bëri këto komente në një samit evropian që po zhvillohet në Kishinjev të Moldavisë.
Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav
Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz si dhe si dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell. Takimi u zhvillua në margjinat e një samiti evropian që po mbahet në Kishinjev të Moldavisë.
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë këmbëngulën të enjten se duan të zbutin një krizë të dhunshme në veri të Kosovës, por treguan pak shenja të tërheqjes nga pozicionet e tyre kundërshtare.
Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Franca dhe Gjermania u kanë kërkuar udhëheqësve të Kosovës dhe serbëve që të organizojnë zgjedhje të reja në katër komunat veriore Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Macron tha se zgjedhjet duhet të zhvillohen në këto komuna të cilat siç tha si janë prekur nga trazirat ditëve të fundit.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.
Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Osmani konfirmon se Macron dhe Scholz kërkuan zgjedhje të reja në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.
Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.
“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.
Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serb të komunave veriore.
“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.
Duke iu referuar situatës në komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se situate mund të shtensionohet vetëm nëse Serbia ndalë bandat kriminale atje.
“Mund të ketë shtensionim të situatës, por shtensionimi nis në Beograd, duke ndaluar këto banda kriminale që të shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm. Kjo është kyçe dhe këtë e kemi kërkuar që të ndodhë”, tha Osmani.
LEXO këtu artikullin e plotë:
Çfarë do të thotë ngritja e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë?
Forcat speciale të Ushtrisë së Serbisë, me pajisje luftarake, në pozicionet afër Kosovës - është një nga pamjet e “shkallës më të lartë të gatishmërisë luftarake” të forcave të armatosura serbe, të shpallur më 25 maj, të cilën e ka publikuar Ministria e Mbrojtjes.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë. Shteti i ka përcaktuar vijat e kuqe, po flasim për skenarë, mos e dhëntë Zoti, nëse dikush vret apo dëbon serbët. Atëherë Serbia nuk do të mund të rrinte duarkryq”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, më 31 maj.
Ai tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), ndër të tjera, se ushtria do të jetë në gatishmëri të lartë për sa kohë që ekziston rreziku për sigurinë në Kosovë.
Po atë ditë, ministri e shqyrtoi me udhëheqjen ushtarake situatën e sigurisë, në Rashkë, 250 kilometra në jugperëndim të Beogradit, si dhe vizitoi një pjesë të forcave ushtarake të dislokuara.
Por çfarë do të thotë ngritja e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë?
LEXO artikullin e plotë: