Osmani diskuton me Macron, Scholz dhe Borrell për zhvillimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz si dhe si dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell. Takimi u zhvillua në margjinat e një samiti evropian që po mbahet në Kishinjev të Moldavisë.
“Në këtë kohë vendimtare për sigurinë evropiane, bashkëpunimi me partnerët dhe aleatët është kyç”, shkroi Osmani.
“Me presidentin [francez] Emmanuel Macron dhe kancelarin [gjerman] Olaf Scholz si dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së për punët e Jashtme, Josep Borrell, diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosove dhe rajon, dhe përpjekjet tona të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, shkroi Osmani në Twitter, duke mos dhënë detaje shtesë.
Vuçiq: Formimi i Asociacionit obligim themelor i Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se në Kishinjev të Moldavisë ka biseduar edhe për situatën në Kosovë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë të ndalojnë dhunën dhe t'i kthehen dialogut”, tha Vuçiq.
Ai ka përsëritur se Serbia është kundër lëvizjeve të njëanshme dhe se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim themelor nga Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar më shumë se 10 vjet më parë.
Qeveria e Kosovës fton qytetarët të shmangin udhëtimet nëpër Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimet nëpër territorin e Serbisë.
“MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
MPJD ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë rrugë alternative të udhëtimit.
Komandanti i KFOR-it viziton ushtarët italianë që u lënduan në Zveçan
Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, përgëzoi ushtarët italianë që u lënduan në përleshjet e 29 majit në Zveçan për ndërhyrjen e tyre në parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Gjatë vizitës që u bëri kontingjentit të ushtarëve të lënduar italian në kampin Villaggio Italia në Pejë, komandanti i KFOR-it, tha se ata parandaluan përplasjet që mund të çonin në viktima civile.
“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke u ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”, citohet të ketë thënë Ristuccia.
Ushtarët e lënduar italian do të kthehen në Itali për rikuperim ndërkohë që shumica e ushtarëve hungarezë të plagosur tashmë janë transportuar në shtëpi dhe janë transferuar në spitale. Në përleshje u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga armë zjarri.
Pamjet nga përleshja e 29 majit: