Ndërlidhjet

Blinken: SHBA-ja po punon për zgjatjen e armëpushimit në Sudan


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë me gjeneralët ndërluftues të Sudanit për ta zgjatur armëpushimin para se të skadojë

Blinken tha se ai priste të zbulonte më shumë detaje “gjatë orëve në vijim” mbi situatën në Sudan, ku ushtria ka rinisur sulmet ajrore ndaj paraushtarakëve rivalë në kryeqytetin Khartoum edhe para skadimit të armëpushimit në mesnatë.

“Ne jemi duke punuar shumë, në mënyrë aktive, për ta zgjatur armëpushimin”, u tha Blinken gazetarëve.

“Ne kemi pasur një armëpushim 72 orësh, i cili si, shumica e armëpushimeve, nuk është i përsosur, por megjithatë e ka reduktuar dhunën. Dhe padyshim ka krijuar kushte disi më të mira për njerëzit në Sudan”, tha ai.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punonin gjithashtu për ta lehtësuar largimin e të huajve nga Sudani.

Që kur shpërtheu dhuna në Sudan më 15 prill janë vrarë të paktën 512 persona dhe janë plagosur pothuajse 4.200 të tjerë.

Banorët po përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore dhe të ujit të pijes dhe sipas organizatave të huaja, një e treta e popullsisë prej 46 milionë banorësh kishte nevojë për ndihmë humanitare edhe para nisjes së luftimeve.

Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, më 15 prill midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG