Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se ekziston një rrezik “shumë i lartë” që Rusia ta pushtojë Ukrainën dhe kjo mund të ndodhë brenda “disa ditësh”.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë fakte të tërheqjes së pretenduar të Rusisë të forcave përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.
Biden u tha gazetarëve në Uashington se “çdo tregues që kemi është se ata janë të përgatitur të shkojnë dhe ta sulmojnë Ukrainën”.
Rusia tha të mërkurën se po tërhiqte disa trupa të vendosura afër kufirit me Ukrainën, por NATO deklaroi se nuk po sheh shenja të një tërheqjeje.
Të mërkurën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video që tregon një ngarkesë treni me automjete të blinduara duke lëvizur nëpër një urë larg Krimesë, gadishullit të Detit të Zi që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në lindje, veri dhe jug të Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime se po planifikon një sulm.
Moska mohon se ka ndonjë plan të tillë.