Ndërlidhjet

Qeveria i hap rrugë gjykimit në mungesë për krime të luftës


Fotografi e bërë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.
Fotografi e bërë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, më 25 gusht miratoi projektligjin për Kodin e Procedurës Penale në bazë të të cilët do të rregullohet gjykimi në mungesë i të akuzuarve.

Ky projektligj më pas do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, prezantoi ndryshimet dhe plotësimet që Ministria e Drejtësisë propozon t’i bëjë në Kodin aktual të Procedurës Penale.

Ai tha se përmes këtij propozimi, kryerësit e veprave penale, me theks të veçantë ato të krimeve të luftës, nuk do të kenë mundësi më t’i shmangen drejtësisë.

“Të gjithë ata që kanë kryer krime lufte do të marrin dënimin e miratuar dhe kudo që hasen nga organet ligjzbatuese do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha ai.

Lidhur me ndryshimin e këtij ligji foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Projekt-Kodi i ProcedurësPenale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog”, tha ai.

Zëvendësministri Sallahu ka bërë të ditur se Kodi i Procedurës Penale ishte dashur të ndryshohet më herët, për të mundësuar edhe zbatimin e plotë të Kodit të ri Penal, që hyri në fuqi në vitin 2019.

Sallahu po ashtu kanë thënë se janë forcuar kapacitetet në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale.

Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, shumica dërmuese shqiptarë, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.

Ish-këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më herët ka deklaruar se Kosova ka trashëguar rreth 1.000 raste te krimeve të luftës nga UNMIK-u dhe EULEX-i, rreth 15 vjet të vjetra. Por, edhe ajo ka theksuar se në drejtësinë e ngadalshme ka ndikuar mungesa e stafit.

Një departament i posaçëm për krime lufte është krijuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në maj të vitit 2015.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG