Katër muaj negociata, por vetëm 45 ditë bashkë në qeveri. Ky ishte bilanci i atij që u quajt “koalicioni i shpresës” nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). LVV-ja mbeti në opozitë dhe LDK-ja ndërtoi koalicion të ri qeverisës me Nismën Socialdemokrate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Nga 6 tetori 2019, përveç krizës politike, Kosova u përball edhe me pandeminë e COVID - 19.
06.10.2019.
10.10.2019.
02.02.2020.
13.03.2020.
18.03.2020.
18.03.2020.
25.03.2020.
30.04.2020.
30.04.2020.
28.05.2020.
03.06.2020.
06.06.2020.
24.06.2020.
12.07.2020.
04.09.2020.
04.09.2020.
21.09.2020.
27.09.2020.
06.10.2019.
LVV fiton zgjedhjet
Mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë mbrëmjen e 6 tetorit të vitit 2019, për të festuar fitoren e parë në zgjedhje parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje. Fitorja shihej si mundësi e rrallë që partitë LVV-ja dhe LDK-ja, që para zgjedhjeve ishin në opozitë, të krijonin për herë të parë, pas shumë vjetësh, një qeveri pa partitë e krahut të luftës.
10.10.2019.
Kurti premtonte qeverisjen më të mirë për Kosovën
REL: Çka do të thotë ardhja e Albin Kurtit në pozitën e kryeministrit në Kosovë? Kurti: Do të thotë fillimi i qeverisjes së mirë me një njëri i cili e kupton që politika është shërbim, që politika është përfaqësim, që politika është vullnet, që politika është vizion dhe se jemi këtu ku jemi duke ju falënderuar popullit nga i cili edhe nuk ndahemi edhe rikthehemi.
02.02.2020.
Katër muaj për arritje të marrëveshjes qeverisëse
Entuziazmi i fitores së LVV-së u sfidua seriozisht, pasi iu deshën katër muaj negociata që të arrinte marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.Në fund, Albin Kurti u bë kryeministër, por mospajtimet mes partnerëve të koalicionit u shfaqën prej fillimit.
13.03.2020.
Regjistrohet rasti i parë me koronavirus
Këtë ditë u regjistrua rasti i parë me koronavirus në Kosovë. Qeveria Kurti u sfidua me menaxhimin e pandemisë, duke vendosur disa komuna në izolim. Pandemia u bë një problem shtesë në mosmarrëveshjet LVV-LDK.
18.03.2020.
Shkarkimi i Agim Veliut i dha fund koalicionit
LVV-ja dhe LDK-ja u përplasën për tarifën 100% për produktet me origjinë nga Serbia. Kryeministri Albin Kurti nuk pranoi që ta largonte atë dhe insistoi në reciprocitet. LDK-ja kërkoi largim të tarifës pa kushte. Heqjen e tarifës e kërkonin me ngulm edhe zyrtarët amerikanë, gjë që lëkundi edhe më shumë koalicionin qeverisë. Kërkesa për heqjen e tarifës tha se bëhet për t’i dhënë shans vazhdimit të dialogut me Serbinë. Por, koalicioni u pa se po shkonte drejt fundit më 18 mars, kur kryeministri Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun e LDK-së.
18.03.2020.
Prishet koalicioni LVV-LDK
LDK-ja doli nga koalicioni dhe njoftoi për inicimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti.
25.03.2020.
Rrëzohet Qeveria Kurti
Me ndihmën e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, LDK-ja arriti që ta rrëzonte qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
30.04.2020.
Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër
Përmes disa letrave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga Albin Kurti që LVV-ka, si partia e parë në zgjedhje, të dërgonte një emër të ri për kryeministër, gjë të cilën nuk e bëri kreu i LVV-së, Kurti. Më 30 prill, 2020, presidenti Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
30.04.2020.
Arrihet marrëveshje për Qeverinë Hoti
Nga opozita, AAK-ja dhe Nisma u bënë pjesë e qeverisë së re.
28.05.2020.
Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Thaçi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se ishte i ligjshëm dekreti i presidentit për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së, për postin e kryeministrit. Kështu, LDK-ja mori drejtimin e qeverisë edhe pse kishte dalë partia e dytë në zgjedhjet e 6 tetorit. Kushtetuesja i dha fund dilemës së kamotshme nëse presidenti mund t’i japë mandatin për formimin e qeverisë ndonjë partie që s’i ka fituar zgjedhjet.
03.06.2020.
Avdullah Hoti bëhet kryeministër
Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, që kaloi pa tensione, Avdullah Hoti, me 61 vota të deputetëve u bë kryeministër i Kosovës. Albin Kurti nuk e priti në zyrë e as nuk ia dorëzoi detyrën. Nga ajo ditë, Kurti, vazhdon ta quajë Hotin kryeministër jolegjitim.
06.06.2020.
Qeveria heq barrierat tregtare me Serbinë
Në një nga mbledhjet e para të qeverisë së re, kabineti qeveritar shfuqizoi çdo pengesë tregtare me Serbinë.
24.06.2020.
Gjykata Speciale anulon takimin në Uashington
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se kishte dorëzuar për shqyrtim një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritej që më 27 qershor të shkonte në Uashington. Thaçi anuloi vizitën në SHBA, ku ishte paraparë të mbahej një takim i përbashkët me delegacion serb. Zyrtarët amerikanë e shtyn takimin për më vonë.
12.07.2020.
Rifillon dialogu Kosovë-Serbi
Heqja e pengesave tregtare i hapi rrugë rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Pas 20 muajsh ndërprerjeje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, biseduan përmes video-lidhjes me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
04.09.2020.
SHBA: Arrihet marrëveshja për normalizim ekonomik
Në prezencë presidentit amerikan, Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, u pajtuan për normalizim ekonomik. Marrëveshja parasheh investime në përmirësimin e infrastrukturës, si linja hekurudhore, autostrada, etj.
04.09.2020.
Izraeli dhe Kosova pajtohen të vendosin marrëdhënie diplomatike
Pas nënshkrimit të dokumenteve në Zyrën Ovale në Shtëpinë Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Kosova do të vendosin marrëdhënie diplomatike.
21.09.2020.
Delegacioni amerikan viziton Kosovën dhe Serbinë
I dërguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, së bashku me një delegacion të gjerë, vizituan Kosovën dhe Serbinë, për të shtyrë përpara zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve të arritura më 4 shtator në Uashington.
27.09.2020.
LVV-ja vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja
“Zgjidhja janë zgjedhjet. Dhe zgjedhje do të ketë shumë shpejt, sepse kjo qeveri nuk e ka shumicën në kuvend as për të miratuar ligje të rëndomta se lëre më diç më tepër”, deklaroi më 27 shtator 2020, kryetari i LVV-së, Albin Kurti.