Gara për të zbuluar një vaksinë kundër COVID-19
Derisa shumë shtete janë duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë për të luftuar pandeminë me koronavirus, më shumë se 170 vaksina janë duke u zhvilluar nga ekipet hulumtuese në universitete dhe laboratore nëpër botë. Disa nga to tashmë janë duke u testuar në njerëz.
Vaksinat zakonisht kërkojnë hulumtim dhe testim të gjerë ndër vite para se të hyjnë në përdorim. Por, presioni ekonomik dhe ai politik kanë shtyrë shkencëtarët që të shpejtojnë procesin e hulumtimit për zhvillimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Tashmë është njoftuar për disa zhvillime të suksesshme rreth vaksinës eventuale, por do të duhet ende kohë që bota të ketë një vaksinë efektive dhe të sigurt.
Pse janë të rëndësishme vaksinat?
Trupi i njeriut zakonisht krijon një imunitet të qëndrueshëm pas ndonjë sëmundjeje. Por, disa sëmundje mund të çojnë në komplikime serioze, deri te vdekja. Vaksinat kanë për qëllim të ekspozojnë trupin ndaj një antigjeni që ngacmon sistemin imunitar, por nuk e shkakton sëmundjen. Ky reagim bllokon apo vret virusin nëse një person infektohet.
Cikli i zhvillimit të vaksinës
Para se të futen në përdorim, vaksinat kalojnë në disa faza të zhvillimit:
- Faza kërkimore
- Faza para-klinike
- Zhvillimi klinik
- - Në fazën e parë, testohen grupe të vogla të njerëzve.
- - Në fazën e dytë, studimi klinik zgjerohet dhe vaksina testohet në njerëz me karakteristika të caktuara.
- - Në fazën e tretë, vaksina testohet në mijëra njerëz për efikasitet dhe siguri.
- Rishikimi dhe aprovimi
- Prodhimi
- Kontrollimi i kualitetit
Deri më 11 gusht, 2020, më shumë se 170 vaksina potenciale janë regjistruar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Zbulimi rus
Rusia së fundi ka njoftuar se është duke planifikuar prodhimin në masë dhe vaksinimin në masë të popullatës me vaksinën e quajtur Sputnik V, vaksinë kjo që sipas disa shkencëtarëve është zhvilluar në një proces që ka kapërcyer masat e rëndësishme të sigurisë që bëjnë pjesë në fazën e tretë të ciklit zhvillimor të vaksinës. Zhvilluesit e kësaj vaksine kanë mundur të jenë nën presion të madh politik për të qenë të parët që regjistrojnë një vaksinë.
Një nga shqetësimet kryesore që komuniteti ndërkombëtar i shkencëtarëve ka në raport me Sputnik V, është efekti i quajtur Zgjerimi i Antitrupave të Varur, që do të thotë kur versione të tjera të virusit bashkëngjiten me antitrupat e prodhuara nga vaksina. Kjo mund t’i bëjë njerëzit të ndihen më të sëmurë kur infektohen për të dytën herë. Ky efekt vërehet gjatë fazës së tretë të zhvillimit të vaksinës.
Si zhvillohet imuniteti?
Kur trupi vëren substanca të huaja si viruse apo bakterie, sistemi imunitar punon për të njohur patogjenët që pushtojnë trupin dhe t’i largojë ato. Limfocitet apo qelizat B krijojnë antitrupa që mbyllen në antigjene specifike (një antigjen është një molekulë apo strukturë molekulare që gjendet jashtë një patogjeni) dhe qelizat T shkatërrojnë qelizat e infektuara, duke ua bërë të pamundur prodhimin e virusit.
Antitrupat mund të qëndrojnë në trup për disa muaj, në disa raste edhe për vite, në rast se trupi ka nevojë të luftojë patogjenin e njëjtë sërish.
Sistemi imunitar i trupit të njeriut mëson të njohë patogjenët pushtues, siç është COVID-19. Kjo është mënyra sesi ndodh:
Ekzistojnë 10 lloje të vaksinave kundër COVID-19 që janë në zhvillim e sipër:
Kjo është mënyra sesi disa vaksina zhvillohen:
Vaksinat e viruseve
Shumë vaksina ekzistuese janë krijuar duke përdorur virusin si të tillë. Kjo metodë kërkon testim të gjerë të sigurisë.
(A) Vaksinat me virus të dobësuar: Virusi dobësohet gjatë kalimit nga qelizat e kafshëve te njerëzit derisa të pësojë mutacion dhe të humbë fuqinë për të shkaktuar sëmundje.
(B) Vaksinat e paaktivizuara me virus: Virusi kthehet në joinfektues gjatë ekspozimit ndaj substancave kimike ose nxehtësisë.
Vaksinat e transmetuesve viralë
Transmetuesit viralë përdoren nga biologët molekularë për të futur antigjenët në qeliza. Virusi modifikohet në atë mënyrë saqë minimizon rrezikun e bartjes.
(A) Riprodhimi i transmetuesve viralë në vaksinë: Kjo përdoret për të ngacmuar sistemin imunitar. Gjeni i shpërndarjes së koronavirusit vendoset në një transmetues viral dhe injektohet në trup.
(B) Mosriprodhimi i transmetuesve viralë: Këto vaksina përdoren për të rritur imunitetin te personat tashmë të infektuar.
Vaksinat me acid-nukleik
Vaksinat me bazë të acidit nukleik janë të reja dhe ende nën zhvillim dhe vlerësim. Disa studime thonë se vaksinat me acid nukleik bazuar në strukturën e ADN-së dhe ARN-së, kanë potencial për të qenë më të sigurta dhe efektive sesa metodat tjera. Metodat që përdoren për prodhimin e vaksinave ARN janë sintetike, duke mënjanuar sistemet biologjike. Përparësitë tjera të vaksinave me acid nukleik përfshijnë thjeshtësinë e transmetuesit dhe lehtësinë e injektimit.
(A) Vaksina ADN: Përdoret metoda e krijimit të poreve në membranat e qelizave për të lehtësuar ngritjen e ADN-së.
(B) Vaksina ARN: Futet në qeliza në të njëjtën mënyrë si virusi.
Vaksinat me proteina
Vaksinat me përmbajtje të proteinës nxisin një sistem imunitar mbrojtës kundër patogjenit.
(A) Vaksinat me nën-njësi të proteinave shfaqin një antigjen specifik dhe të izoluar në sistemin imunitar, që shkakton reagim imunitar.
(B) Grimcat e virusit mund të imitojnë strukturën dhe aktivitetin e koronavirusit, por nuk janë infektuese, për shkak të mungesës së materialit gjenetik të virusit.
Kur pritet të jetë e gatshme një vaksinë?
Koalicioni për Inovacion dhe Përgatitje për Epidemi, tha në prill se një vaksinë mund të jetë e gatshme nën protokollet emergjente në fillim të vitit 2021.
Në maj të vitit 2020, OBSH-ja ka pranuar 8.1 miliardë dollarë donacione nga 40 shtete për të mbështetur zhvillimin e shpejtë të vaksinës. Kjo Organizatë ka zhvilluar edhe një sistem që lejon vlerësimin transparent të disa vaksinave potenciale që kanë arritur në provën klinike. Ky sistem ka bërë bashkë organizatat ndërkombëtare, universitetet, përfaqësuesit farmaceutikë dhe qeveritë, për të bashkëpunuar në zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit.
Logjika prapa kësaj qëndron në faktin se krahasimi i qindra vaksinave përmes kritereve të njëjta, siguron që bota të ketë një vaksinë efikase.
Kur vaksina të jetë gati, kush do ta ketë më së pari?
Dhjetëra miliarda dollarë janë duke u investuar nga korporatat e sektorit privat dhe qeveritë, prandaj nuk ka dyshime se shpërndarja e vaksinës nuk do të bëhet në mënyrë të drejtë.
Mbretëria e Bashkuar ka investuar 79 milionë në vaksinën e Universitetit të Oksfordit, në këmbim të 30 milionë dozave. Ky program është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë AstraZeneca, duke u premtuar Shteteve të Bashkuara 300 milionë doza të vaksinës, në këmbim të 1.2 miliard dollarëve.
Bashkimi Evropian po ashtu ka ndarë 2.3 miliardë dollarë për Strategjinë e Vaksinës Evropiane, për të siguruar se i gjithë blloku evropian do të ketë qasje në vaksinë.
Ka shumë të ngjarë që vaksina së pari do të shpërndahet në popullatat e vendeve të pasura, me pak ose aspak shpërndarje në vende të varfra dhe me popullsi të dendur, të paaftë për të përballuar vaksinat.