Ndërlidhjet

Drecun: Zgjidhja për Kosovën mund të jetë ndryshe prej rezolutës 1244


Ilustrim
Ilustrim

Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, tha se deklarata e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare Prishtinë-Beograd, fuqizon pozicionin e Serbisë në bisedime.

“Deklarata e Mogherinit se marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi duhet ta mbështesë Këshilli i Sigurimit i OKB-së fuqizon pozicionin e Serbisë pasi në këtë proces kyçen të paktën pesë vendeve. Këtë herë në lojë hyjnë Rusia dhe Kina dhe kjo e fuqizon pozicionin tonë”, tha Drecun për Radio Televizionin e Serbisë.

Sipas tij, një deklaratë e tillë, nënkupton se vazhdimi i bisedimeve ka kaluar nga niveli teknik në bisedime për statusin e Kosovës.

Megjithatë ai pret që zgjidhja eventuale të jetë ndryshe prej rezolutës 1244 të KS të OKB-së, por përsëriti se Serbia do të vazhdojë bisedimet vetëm pasi Prishtina të heqë tarifën ndaj mallrave serbe.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, tha të martën se një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, duke shtuar se, për arritjen e këtij qëllimi, është e gatshme të intensifikojë bisedimet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se rezultat i një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi do të jetë njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG