Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido është larguar nga Karakasi të enjten, së bashku me 80 ligjvënës, për t’u nisur në kufirin me Kolumbinë, ku pritet të arrijë ushqim dhe ilaçe për popullin e këtij shteti.
Mirëpo presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, i cili mohon faktin se Venezuela është në krizë ekonomike, ka thënë të enjten se është duke konsideruar mbylljen e kufirit me Kolumbinë, si dhe do të mbyllë edhe kufirin me Brazilin.
Brazili do të dërgojë ndihma humanitare në Venezuelë
Guaido, i cili është njohur nga një varg shtetesh si president i përkohshëm i këtij shteti, është zotuar se do të sigurojë ndihmat humnitare përmes kufirit me Kolumbinë.
Qeveria e Brazilit po ashtu është zotuar se do të dërgojë ndihma përmes disa kamionëve, të cilët i ka siguruar Guaido.
Mirëpo Maduro i ka cilësuar këto veprime si “provokim”. Ai ka thënë në disa komente televizive se planet e opozitës kanë për qëllim që të dëmtojnë qeverisjen e tij.
“Nuk dua të marrë ndonjë vendim të këtij lloji, mirëpo jam duke shqyrtuar mbylljen e kufirit me Kolumbinë”, është shprehur Maduro.
Për analistët politikë, ngjarja e ditës së shtunë, kur pritet të arrijnë ndihmat, do të jetë më shumë test për besnikërinë e ushtrisë ndaj Maduros, sesa mundësi për zgjidhje të krizës në Venezuelë.
Guaido ende nuk ka treguar detaje se si do të hyjnë ndihmat në Venezuelë.
Figurat opozitare kanë propozuar krijimin e zinxhiri njerëzor, në mënyrë që t’i bartin pakot nga njëri person te tjetri.
Maduro ka kundërshtuar gjithë këto organizime për ndihma dhe ka akuzuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për tentim të përmbysjes së pushtetit të tij.
Venezuela është përballur me krizë ekonomike për vite të tëra, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesave themelore për ushqim dhe ilaçe.
Kjo gjendje ka rezultuar me shpërngulje të mijëra personave nga ky shtet.
Maduro është betuar për mandatin e dytë, ndonëse procesi zgjedhor është bojkotuar nga liderët opozitarë.