Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje drejtpërdrejt ushtrisë së Venezuelës që të braktisë mbështetjen e saj për presidentin Nicolas Maduro.
Në një fjalim në Majami, Trump tha se ata që vazhdojnë ta mbështesin Qeverinë e Maduros, rrezikojnë të ardhmen dhe jetën e tyre.
Ai e cilësoi Qeverinë e Venezuelës si "diktaturë të dështuar".
Maduro e dënoi fjalimin e Trumpit dhe tha se ushtria do të përgjigjet me unitet.
Maduro refuzon të japë dorëheqje ose të thërrasë zgjedhje të reja, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar.
Dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.
Guaido e ka shpallur veten lider të përkohshëm gjatë protestave antiqeveritare në Venezuelë, muajin e kaluar.
Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, është kritikuar brenda dhe jashtë vendit për ekonominë e dobët në Venezuelë.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi tre milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela viteve të fundit, për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.