Një gjeneral në Venezuelë ka shprehur mbështetjen e tij për liderin opozitar, Juan Guaido.
Gjenerali Francisco Yanez, komandant i forcave ajrore, u ka bërë thirrje forcave të armatosura që t’i kundërvihen presidentit Nicolas Maduro.
“Nëntëdhjetë për qind e forcave të armatosura të Venezuelës nuk janë me diktatorin, ata janë me popullin e Venezuelës”, tha Yanez, në një video që është shpërndarë sot në rrjetin social Twitter.
Ndërkaq, në llogarinë e tij në Twitter, komandanti më i lartë i forcave ajrore e ka akuzuar gjeneralin Yanez për tradhti.
Yanez është gjenerali i parë venezuelian që njeh Guaidon, që prej se ai u vetëshpall president më 23 janar.
Uashingtoni e ka njohur Guaidon si president legjitim të Venezuelës.
Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian pritet që javën e ardhshme ta njohin zyrtarisht Guaidon si president.