Ndërlidhjet

Hoxhaj: Normalizim me Serbinë, jo ndarje e status special për veriun


Enver Hoxhaj
Enver Hoxhaj

Kushtetuta dhe rezoluta e miratuar në Kuvend do të jenë pikënisja e Prishtinës zyrtare në bisedimet e ardhshme me Beogradin, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i jashtëm Enver Hoxhaj. Duke iu referuar bisedimeve për integrimin e veriut të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk do të pranojë asnjë zgjidhje që çon kah autonomia, statusi special, ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministër Hoxhaj, së shpejti pritet që të nisë edhe një proces negociatash apo dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A ka paraprakisht Prishtina zyrtare një platformë të qartë në prag të këtyre bisedimeve?

ENVER HOXHAJ
Para pak ditësh në Bruksel, me nismën dhe ndërmjetësimin e baroneshës Ashton ndodhi një takim mes kryeministrit të Kosovës, zotit Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Daçiq. Ne e dimë që këtij takimi i ka parapri edhe një debat i gjerë në Kuvendin e Kosovës dhe miratimi i një rezolute. Dhe, kjo rezolutë në formë dhe substancë ia mundëson delegacionit të Kosovës që të vazhdojë një proces të tillë të normalizimit të relacioneve në mes të dyja vendeve.

Për mendimin tonë, Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës, rezoluta e miratuar në Kuvend si dhe dokumente strategjike që i kanë sektorët relevantë, qoftë ministritë, agjensionet apo zyrtar e ndryshme mund të jenë të bollshme dhe domosdoshme sa që Kosova mund të hyjë në një proces të normalizimit të relacioneve mes të dyja shteteve.

Ne mendojmë se në një proces të tillë duhet të diskutohen çështjet e interesit bilateral ndër shtetëror. Ka disa çështje që janë të hapura. Mirëpo, të gjitha këto tema dhe çështje të hapura, pikënisja, korniza e vetme politike është Kushtetuta e Kosovës si dhe rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, cilat do të jenë ato parimet bazë që Prishtina do t’i ketë parasysh në prag të këtyre bisedimeve, që herë quhen “vija të kuqe”, apo vija që nuk mund të tejkalohen në këtë proces bisedimesh?

ENVER HOXHAJ
Kosova që nga shkurti i vitit 2008 është shtet i pavarur e sovran dhe sovraniteti i saj ndërkombëtar dhe integriteti i saj territorial janë njohur pothuajse nga gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara.

Ne mendojmë që çështjet e tilla si pavarësia, sovraniteti, subjektiviteti ndërkombëtar, rregullimi i brendshëm kushtetues duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës që nënkupton një sistem unitar politik. Të gjitha këto tema janë të mbyllura njëherë e përgjithmonë.

Mirëpo për ne është me rëndësi që në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, premisa e parë të jetë shpërbërja dhe largimi i plotë i strukturave ilegale të sigurisë, policisë dhe formacioneve paramilitare në veri të Kosovës deri te njohja e ndërjellë e cila duhet të jetë faza e fundit e normalizimit të plotët ë marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura e sovrane.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme, por edhe në kërkesat e zyrtarëve ndërkombëtarë përmendet gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për veriun. A ofron Prishtina zyrtare në këtë rast një zgjidhje të tillë për këtë pjesë?

ENVER HOXHAJ
Qasja e jonë sa i takon reintegrimit të komunave veriore bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Ahtisarit. Prandaj, si Qeveri e Republikës së Kosovës ne synojmë që në veri ta jetësojmë Pakon e presidentit Ahtisari.

Jemi kundër çdo platforme a mendimi që kësaj pjese të Kosovës t’i jepet ndonjë autonomi territoriale me që autonomia territoraiale nuk do të ishte asgjë tjetër veçse një ndarje e brendshme.

Ne e dimë që zgjidhje të tilla shtetet tjera në rajon i kanë bërë shtete të dështuara. Do të thotë, statusi special, autonomia territoriale, ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve, të gjitha këto janë njëherë e përgjithmonë tema të mbyllura për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Pritet që këtë javë Prishtinën dhe Beogradin ta vizitojnë edhe Sekretarja Klinton dhe baronesha Ashton. Ju kanë dorëzuar parimet bazë të bisedimeve të ardhshme?

ENVER HOXHAJ
Në takimin e fundit që ndodhi midis kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiq, para se të ndodhte ky takim, ne kishim një takim shumë të gjatë me baroneshën Ashton dhe ajo na prezantoi një agjendë përmbajtësore, kohore e tematike sa u takon çështjeve që duhet të diskutohen në mes të dyja shteteve.

Përderisa unë nuk jam në gjendje që t’i ndaj të gjitha detajet e një agjende të tillë, mund të them që është përmendur në mënyrë specifike dhe çështja e parë që ka qenë ishte largimi i strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë nga veriu i Kosovës, deri tek integrimi i plotë i Kosovës në organizatat ndërkombëtare që nënkupton integrimin e shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Kuptohet që është përmendur edhe çështja e hapjes së zyrave ndërlidhëse në kryeqytetet e Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që një agjendë e tillë është në favor të normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve, por ka edhe tema tjera të cilat do të duhet të diskutohen në një proces të normalizimit të këtyre relacioneve.

Mund të them që vizita e sekretares së Shtetit Hilari Klinton do të jetë mbështetje e madhe dhe vendimtare për Kosovën në një proces të rëndësishëm të normalizimit të relacioneve me Serbinë. Ne me çdo dëshirë, çdo propozim që vjen nga sekretarja e Shtetit që është një mbështetëse e madhe e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosoëvs dhe përfaqësuese e një shteti me të cilin ne kemi relacione të veçanta, kuptohet që propozime e tilla do t’i marrim në konsideratë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, fare në fund ministër, nëse në këtë agjendë parashihet hapja e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd. Është e gatshme Qeveria e Kosovës ta hapë zyrën e saj në Beograd?

ENVER HOXHAJ
Unë e përmenda atë se çfarë është bërë publike kohëve të fundit. Ky është një proces i normalizimit të marrëdhënieve midis dyja shteteve dhe normalizimi pa dyshim që duhet të ndodhë në nivel të barabartë dhe bilateral. Është esenciale për Serbinë që të fillojë ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur.

Mendoj që pranimi i marrëveshjes për menagjim të integruar të kufirit, që nuk ka qenë asgjë tjetër veç pranim i kufirit midis të dyja shteteve, pastaj pranimi i marrëveshjes për përfaqësim dhe anëtarësim në organizatata rajonale e cila ia mundësoi Kosovës të merr pjesë në të gjitha forumet rajonale, të gjitha këto pra flasin për atë se Serbia e ka pranuar realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe si vend fqinj i saj.

Faza e normalizimit të relacioneve që filloi para disa ditësh nënkupton se si këto relacione të kenë edhe më shumë karakter bilateral, se si të zgjidhen disa çështje të cilat mund të jenë pengesë për të dyja vendet dhe se si mund të ketë institucione të cilat mund ta lehtësojnë komunikimin në mes të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG