Ndërlidhjet

Lobimi për interesa personale dëmton shtetin


Ilustrim
Ilustrim
Politika e jashtme e Kosovës vazhdon të jetë e çakorduar duke u zhvilluar mbi bazat e interesave individuale, thonë analistë dhe përfaqësues të opozitës.

Rasti i fundit i prezantimit të njohjes së Kosovës nga Mali dhe më pas i përgënjeshtrimit të lajmit, sipas tyre, paraqet një skandal ku protagonist është vetë zëvendëskryeministri i parë, Behxhet Pacolli, i ngarkuar me procesin e lobimit.

Ndërsa Pacolli ka shmangur komunikimin e drejtpërdrejtë me mediat, duke preferuar rrjetet sociale, përmes së cilave ai ka shpjeguar se si ndodhi që Mali nuk e njohu Kosovën, opozita kritikon në veçanti pikërisht angazhimin e Pacollit në procesin e lobimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, e cilëson rastin e fundi të prezantimit dhe më pas demantimit të njohjes nga shteti i Malit, si një skandal.

“Përfundimisht, rasti i skandalit për njohjen nga shteti i Malit është tregues apo shembull konkret për kaosin dhe pamaturinë politike që po e ndjek këtë qeveri dhe sidomos pjesën e lobimit nga zoti Pacolli”, thotë Ramadani.

Me sjellje të tilla në politikën e jashtme, sipas Ramadanit, dëmtohet rëndë imazhi i Kosovës. Sipas tij, angazhimi i Pacollit në lobim më shumë po i shkakton dëme sesa që po i sjell dobi procesit të njohjeve të reja.

“Ky është shembull konkret se çfarë kaosi po ndodh në pjesën e marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe të njëjtën kohë se çfarë dëme i sjellin shtetit interesat personale të dikujt, e në këtë rast të zotit Pacolli”, thekson Ramadani i AAK-së.

Ndërkohë, Alban Bokshi nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se në rastin e Malit, edhe vetë Pacolli duket të ketë qenë viktimë e një gare, të cilën e ka iniciuar fillimisht vetë ai duke besuar se me marrjen e meritave për njohje, Pacolli do të fitonte në procesin elektoral.

Flamuri i Republikës së Kosovës
Flamuri i Republikës së Kosovës
Gara për marrjen e meritave për njohje të reja ka filluar qysh në qeverinë e kaluar dhe, për më keq, po vazhdon edhe tash në kuadër të Qeverisë aktuale, pavarësisht që Pacolli është pjesë e saj, thekson Bokshi.

“Me hyrjen në institucione do të duhej që ta institucionalizonte angazhimin për njohje të Kosovës dhe normalisht që kjo nguti dhe ky demantim e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës, imazhin dhe procesin e njohjeve në përgjithësi”, vlerëson Bokshi.


Joserioziteti në politikën e jashtme, sipas Alban Bokshit, nuk daton me rastin e Malit, pasi që deklarata e veprime të padobishme për procesin e njohjeve janë shënuar edhe në të kaluarën.

“Kemi zotin Hoxhaj, i cili thotë se këtë muaj do t’i kemi tri njohje, pastaj Pacolli, që thotë se muajt e ardhshëm do t’i kemi katër-pesë njohje..., kjo është e dëmshme. Këto janë konsekuenca të kësaj gare politike që të merren sa më shumë merita për njohje të Kosovës”, thekson Bokshi.

Kosova është njohur deri më tani nga 91 shtete, përderisa sivjet janë shënuar gjithsej 6 njohje. Në mediat vendase shumë herë është shkruar se problemet me njohjen nuk janë sqaruar as nga Nigeria, por megjithatë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme emri i këtij shteti figuron që e ka njohur Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG