Ndërlidhjet

Reciprocitet edhe në bisedime


Veri...
Veri...
Kosova duhet të insistojë në reciprocitet në kuadër të bisedimeve të ardhshme politike me Serbinë, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Insistimet e Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje për pozitën e serbëve në veri të Kosovës, sipas analistit Belul Beqaj, duhet të përcillen me insistimet e Kosovës për zgjidhje identike për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Aktualisht, ai thotë se nuk ka reciprocitet.

Por, në të ardhmen, beson se Kosova duhet të insistojë në reciprocitet, pavarësisht faktit që zgjidhjet e tilla do të mund të kishin për efekt krijimin e shteteve etnike në rajon.

Nëse Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare heqin dorë nga koncepti multi-etnik, atëherë edhe Kosova nuk duhet të jetë besnike në këtë koncept, por duhet të kërkojë zgjidhje etnike pikërisht ashtu siç po pretendon të bëjë Serbia. Pra, ne jemi në një udhëkryq, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, ose do të kemi në mënyrë të sinkronizuar dhe balancuar zgjidhje për shqiptarët dhe serbët në Serbi, përkatësisht Kosovë ose do të shkojmë në konceptin e formimit të shteteve etnike që shkakton domino efekte dhe pasoja të shumëfishta”, thotë Beqaj.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë ballafaquan në mënyrë indirekte pozicionet e tyre në kuadër të sesionit të fundit të Këshillit të Sigurimit.

Kryeministri Hashim Thaçi tha aty se ai dhe qeveria e tij janë të gatshëm për bisedime politike me Serbinë, por duke përjashtuar që në bisedime të përfshihen çështjet e integritetit, sovranitetit dhe statusit të Kosovës.

Përderisa kryeministri serb Daçiq, po ashtu ka shprehur gatishmërinë e tij për këto bisedime, por duke theksuar se vendi i tij nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nga ky aspekt ai tha se pret që dialogu të rezulton me një zgjidhje që do të kalonte përmes Kombeve të Bashkuara.

Duke iu referuar pozicionit të kryeministrit Daçiq, ish ambasadori serb në Kombet e Bashkuara, Pavlle Jevremoviq thotë se Serbia do ta ketë vështirë ta kthejë procesin prapa, pasi që roli i Kombeve të Bashkuara në Kosovë është zbehur.

Tani është shumë vështirë të kthehet procesi kur roli i Kombeve të Bashkuara, përkatësisht administratës së OKB-së në Kosovë është zbehur shumë”, thotë Jevremoviq.

Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj thotë se nga deklaratat e Thaçit dhe Daçiqit nuk shihet ndonjë përafrim, por shihet një respektimin i pozicioneve të njërës dhe palës tjetër, çka sipas tij, mund të premtojë më shumë rezultate në bisedimet e ardhshme.

Beqaj, pret që tema më e ndjeshme e këtij dialogu që në start mund të jetë gjendja në pjesën veriore të Kosovës.

Me siguri që fokusimi kryesor do të jetë në çështjen e veriut të Kosovës dhe në këtë kuptim fakti se ekziston gatishmëria e palëve që nga këndi i anës tjetër të shikohet realiteti premton se mund të ketë momente të reja në kuptimin e vlerësimit më objektiv të mënyrës dhe përmbajtjes së zgjidhjes së problemit të veriut”, thekson Beqaj.

Bisedimet e paralajmëruara në nivele të larta politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të pasonin dialogun e cilësuar teknik të filluar në mars të vitit të kaluar.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në këtë dialog, pret që ai para së gjithash të rezultojë me relaksimin e raporteve dhe arritjen e një shkalle bashkëpunimi në mënyrë që të dyja vendet të ecin pa e penguar njëra tjetrën drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG