Ndërlidhjet

Opozita e lë Thaçin vetëm


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Opozita në Prishtinë u përgjigjet negativisht thirrjeve që vijnë nga Qeveria dhe partia më e madhe në pushtet, për formimin e një ekipi të unitetit para nisjes eventuale të bisedimeve dhe takimeve në nivele të larta politike me Serbinë.

Përfaqësuesit e opozitës i shohin këto thirrje të kreut të Qeverisë, si përpjekje për shpërndarjen e përgjegjësisë pas bisedimeve teknike, të cilat, sipas opozitës, i sollën vetëm dëme Kosovës.

Shefi i Grupit më të madh parlamentar opozitar në Kuvend, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e planeve të kryeministrit Hashim Thaçi për bisedimet e ardhshme eventuale me Beogradin zyrtar.

“Kryeministri Thaçi nuk ka kurajën dhe guximin t’u thotë jo zhvillimeve të dëmshme për vendin, prandaj edhe tenton të gjejë edhe të tjerë në mënyrë që të shpërndahet kjo bashkëfajësi. Pjesë e këtyre dëshirave të zotit Thaçi, LDK-ja, sigurisht që nuk do të jetë”, deklaron Beqiri.

Partitë opozitare e rikujtojnë Qeverinë se bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar me negociatat e Vjenës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se me veprimet e veta, Qeveria aktuale i ka bërë dëme Kosovës me procesin e deritashëm të bisedimeve, të cilësuara si teknike, dhe tash, vijon ai, nuk ka nevojë që të thellohet edhe më tepër në një proces edhe më të dëmshëm për interesat e vendit.

“Qeveria duhet t’i zbatojë obligimet që i ka para qytetarëve të Kosovës duke shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit dhe të mos merret me tema tjera, të cilat nuk janë as të iniciuara nga askush dhe po ashtu duhet të bëjë vlerësimin e bisedimeve të ashtuquajtura teknike, të cilat më shumë i kanë sjellë dëme Kosovës sesa diçka të mirë dhe në dobi të qytetarëve”, thotë Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtari i AAK-së, Ahmet Isufi, e fton Qeverinë që t’i marrë përsipër përgjegjësitë që i ka, duke i konsideruar të panevojshëm trupat e përbashkët, siç do të ishte formimi i një ekipi të unitetit, në kohën kur vendi i ka institucionet e zgjedhura.


Kundër bisedimeve me Serbinë që nga fillimi i tyre është shprehur në vazhdimësi Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Liburn Aliu nga ky subjekt politik, thotë se një ekip i tillë uniteti i duhet kryeministrit Thaçi për ta shpërndarë përgjegjësinë nga dëmi që pret nga ky dialog. Ai thotë se Thaçi nuk e ka ftuar asnjëherë opozitën në bashkë- koordinim kur kanë qenë fjala për disa çështje, nga të cilat ka menduar se do të përfitojë vetë politikisht.

“Qeveria është e vetëdijshme që ky vazhdim i negociatave sërish do të jetë me pasoja për Kosovën, andaj kërkon grup të unitetit, për shkak se do që ta shpërndajë fajin, përgjegjësinë. Po të ishte diçka e mirë, Qeveria dhe Hashim Thaçi do të insistonin që ta bënin vetë. Prandaj, krijimi i grupit të unitetit është me pasoja dhe i ftojmë edhe partitë tjera opozitare që të mos i bashkohen”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Liburn Aliu.

Javët e fundit, Qeveria e Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së takimeve në nivel të lartë politik me Serbinë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur besimin e tij se takime të tilla mund të përfundojnë me një traktat paqeje midis dyja vendeve.

Por, që ky dialog të kalojë pa ndonjë zhurmë të madhe politike në vend, Qeveria kërkon që aty të përfshihet edhe opozita.

Mirëpo, partitë opozitare konsiderojnë se një dialog i tillë politik nuk do të prodhonte kurrfarë traktati dhe se ai mund ta përshpejtojë rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe, në anën tjetër, mund të ketë si pasojë rritjen e aspiratave të subjekteve politike të serbëve në pjesën veriore që veriu të përfshihet si temë e veçantë e këtyre bisedimeve.
XS
SM
MD
LG