Ndërlidhjet

Gordon: Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit të Kosovës


Filip Gordon dhe Atifete Jahjaga
Filip Gordon dhe Atifete Jahjaga
Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosvovës ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon.

Pas një takimi që zhvilloi me presidenten Atifete Jahjaga, Gordon tha se po vinte nga Beogradi ku kishte takuar presidentin e sapozgjedhur Tomisllav Nikolliq të cilit ai i kishte përcjellë edhe njëherë qëndrimet e Shteteve të Bashkuara se Kosova është shtet i pavarur me integritet të plotë territorial.

“Pata rastin që të përcjell mesazhin amerikan në Beograd të cilin do ta përsëris edhe këtu se Shtetet e Bashkuar vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin e Kosovës dhe se çfarëdo qeverie që formohet në Beograd ajo duhet t’i zbaton marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë – Serbi”, ka thënë Gordon.

Ne i mbështesim plotësisht aspiratat e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, e po ashtu edhe të Serbisë, por Serbia duhet të ballafaqohet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosovës”, është shprehur zyrtari i lartë amerikan.

Në emër të presidentit Obama dhe sekretares Klinton ai ka uruar presidenten dhe popullin e Kosovës për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare. Njëherësh, Gordon u shpreh i inkurajar me planet e institucioneve për veriun e Kosovës.

Zyra Civile në veri të Mitrovicës do të hapet së shpejti dhe mendoj se ajo është në të mirë të qytetarëve të atjeshëm të cilëve do t’u shërbej të jenë më afër institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari amerikan.

Gjatë kësaj vizite, Gordon i dha mbështetje të drejtpërdrejtë edhe presidentes Jahjaga.

Kemi ndjekur dhe përcjellur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe komenti i vetëm që ne kemi është se vendimi i Gjykatës duhet të respektohet plotësisht”, ka thënë Gordon në lidhje me vendimin e Kushtetueses se Jahjaga ka mandat të plotë 5-vjeçar.

Në këtë aspekt, ai i premtoi Jahjagës mbështetjen amerikane dhe bashkëpunimin edhe për pjesën tjetër të mandatit, duke vlerësuar se ajo po paraqet një imazh pozitiv për Kosovën.

Në anën tjetër presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje, po ashtu edhe me Serbinë, por duke pranuar edhe realitetet e krijuara”, tha Jahjaga.

I kemi dhënë mbështetje dialogut që është zhvilluar në Bruksel i cili ka pas si qëllim lehtësimin e jetës së qytetareve të dyja shteteve. Ne si institucione të shtëtit të Kosovës duam që të ketë edhe zbatim të gjitha marrëveshjeve të arritura në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha Jahjaga ne lidhje me vazhdimin e dialogut Kosovë - Serbi.

Presidentja e vendit përsëriti edhe njëherë qëndrimin e institucioneve të Kosovës se për tri komunat veriore nuk ka ndarje e as status të veçantë. Zgjidhja është në Pakon e Ahtisarit, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga si edhe ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon kanë dënuar vrasjen e çiftit serb në Talinoc të Ferizajt dhe kanë inkurajuar të gjithë të zhvendosurit që të kthehen dhe jetojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Para se të vinte në Prishtinë, Gordon ka qëndruar edhe në Beograd. Turneu i tij diplomatik ka nisur nga 6 korriku me vizitat në Francë e Kroaci, për të vazhduar më pas me Serbinë, Kosovën dhe Qipron.

Ditë më parë, në samitin në Dubrovnik të Kroacisë, Gordon i bëri thirrje Serbisë që të pranojë "realitetin" e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë.

"As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë", ka thënë Gordon.
XS
SM
MD
LG