Ndërlidhjet

Kodi Penal (s’) mund të ndryshohet para janarit


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Kosovës edhe zyrtarisht ka iniciuar procedurat e ndryshimit të Kodit Penal duke i hequr nga ky Kod nenet 37, 38 dhe atë 39.

Nisma më e re e qeverisë pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e kërkesës së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për heqjen e neneve tashmë të cilësuara si problematike që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave dhe gazetarëve.

Ishte vet kryeministri Thaçi ai i cili ishte deklaruar se po ndihej i turpëruar me vendimin e Kuvendit, përderisa zëvendësi i tij dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kishte dhënë dorëheqje duke mos u pajtuar me këto nene.

Tani, ndryshimi dhe plotësimi i Kodit penal hyn në procedura të rregullta, thotë deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës.

Rregullorja nuk parasheh ndonjë mocion të përshpejtuar të miratimit të Kodit Penal, kështu që tani mbetet që Kryesia e Kuvendit ta vendosë në agjendën e mbledhjeve të rregullta. Një rol kryesor përsëri do të ketë Komisioni Legjislativ i cili do të jetë komision funksional dhe i cili ndërmjet dy leximeve do të ketë mundësi të amandamentimit dhe dërgimit të kodit final për miratim në seancë plenare”, sqaron Bajrami.

Një çështje që kërkon interpretime shtesë juridike, mbetet ajo e procedimit të ndryshimeve në Kuvend, marrë parasysh se Kodi i ri Penal hyn në fuqi në janar të vitit 2013.

Deputeti Arsim Bajrami thotë se i takon Komisionit për Legjislacion që të bëjë një interpretim, nëse Kodi mund të ndryshohet para janarit, përderisa nuk ka hyrë në fuqi, apo duhet të pritet hyrja e tij në fuqi e më pas të ndryshohet.

Ka disa ligje të cilat hyjnë në fuqi jo në periudhën standarde, pra 15 ditë pas miratimit, por shtyhen ndoshta edhe për një vit. Rast tipik është Kodi Penal i cili ka qenë i paraparë të hyjë në fuqi nga 1 janari dhe tash është çështje e interpretimit juridik, sidomos e konkluzioneve që do të merr Komisioni Legjislativ se a mundet të plotësohet dhe ndryshohet një ligj, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi”, shprehet Bajrami.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka iniciuar tashmë që përmes Avokatit të Popullit ta dërgojë Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se nenet 37, 38 por edhe ai 39 janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se kërkesat e vetme të gazetarëve janë që nenet të hiqen nga Kodi.

Qëllimi i kërkesave të gazetarëve, në këtë rast i AGPK-së, nuk ka qenë dorëheqja e askujt dhe as shkaktimi i kurrfarë krize politike në Kosovë. AGPK nuk është kompetente që të flas për procedura. Ne vetëm kërkojmë që të hiqen këto nene dhe në këtë kuptim edhe kemi nisur iniciativën që ta dërgojmë Kodin në Gjykatën Kushtetuese”, thekson Ahmeti.

Kërkesa e presidentes për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal u rrëzua vetëm për dy vota të premten, pasi që nga 61 votat e nevojshme mori mbështetjen e 59 deputetëve. Ata që votuan kundër ishin katër deputet të PDK-së.

Tani, kur janë iniciuar procedura të reja, opozita është deklaruar se do t’i mbështesë ndryshimet në Kodin Penal, vetëm nëse PDK pajtohet që nenet 37, 38 dhe ai 39 të hiqen tërësisht dhe jo të riformulohen, siç kishin insistuar disa nga deputetet ë PDK-së.

Ndryshimet në Kodin Penal në favor të shtypit dhe shprehjes së lirë i ka mbështetur edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG