Partia Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga mocioni i saj për riformulimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të gazetarëve dhe mediave.
Me këtë veprim, të cilin Grupi Parlamentar i PDK-së ia ka prezantuar të hënën Kryesisë së Kuvendit, në parim është pajtuar me kërkesën e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që Kodi i Penal të ndryshohet duke i hequr tërësisht këto nene dhe jo duke i riformuluar ato, siç insistonin disa nga deputetët e PDK-së.
Heqja e neneve 37 dhe 38 ka qenë në vazhdimësi edhe kërkesë e mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se është krijuar një rrëmujë, por ka shprehur besimin se do të gjendet zgjidhja më e mirë dhe më e përshtatshme për mediat dhe gazetarët.
Krasniqi megjithatë nuk e ka shfajësuar qeverinë për këtë rrëmujë, duke rikujtuar se Kodi është proceduar në Kuvend për miratim me këto dy nene pikërisht nga Qeveria e Kosovës.
“Tani ne presim, pasi që edhe kodi i mëparshëm ka ardhur nga qeveria, që qeveria t’i bëjë ndryshimet e nevojshme dhe gjatë gjithë këtyre viteve jemi përpjekur që ligjet që i kemi miratuar si Kuvend të jenë në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha se PDK-ja është pajtuar që të mos ketë mocion për riformulimin e neneve dhe ka përkrahur nismën e qeverisë për procedimin e Kodit të ri Penal.
Kodi i ri, siç është prezantuar të premten nga qeveria, nuk përmban në vete nenet 37, 38 si edhe nenin 39.
“Ne sot kemi kërkuar që kërkesa e jonë të tërhiqet pasi që vendimi i qeverisë është që Kodi të kthehet në Parlament”, tha Grabovci.
Ndërsa është pajtuar me vendimin e qeverisë për Kodin e ri Penal, Grabovci, si një prej katër deputetëve që ka votuar për mbetjen në fuqi të neneve 37 dhe 38, sërish ka përmendur si variantin më të mirë riformulimin e këtyre neneve.
Andaj, mbetet të shihet në të ardhmen nëse PDK do të arrijë fillimisht që të krijojë unitetin brenda grupit të saj parlamentar.
Në anën tjetër, opozita ka kritikuar ashpër sjelljet e partisë më të madhe në Kuvend dhe qeverisë që drejton ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se LDK do t’i mbështet kërkesat e komunitetit të gazetarëve dhe do ta votojë kodin e ri vetëm nëse nenet problematike hiqen tërësisht.
“Po që se në procedurat e mëtejme vjen deri te sjellja Kodit në Kuvend, ne si Grup Parlamentar i LDK-së do të kemi të njëjtin qëndrim, do të thotë që ky kod të votohet pa këto tri nene dhe absolutisht nuk pajtohemi me riformulime apo ide tjera që tash nuk dua t’i paragjykojë”, deklaroi Beqiri.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ardian Gjini tha se PDK dhe qeveria që ajo drejton po bëjnë lojë shumë të rrezikshme me kredibilitetin e Kuvendit.
“Qeveria e merr rolin e një elementi të mirë në institucionet e Kosovës ndërsa akuzon Kuvendin për diçka që ka bërë. E vërteta është që qeveria e ka shumicën në Kuvend dhe ajo shumicë e qeverisë që e ka votuar qeverinë dhe ia voton ligjet e propozimet, ajo shumicë e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje. Rrëzimi i autoritetit të Kuvendit do të thotë shndërrim i sistemit monist në Kosovë”, tha Gjini.
Sidoqoftë, problem më vete tash mbeten procedurat, pasi që të premten Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen e neneve 37 dhe 38 duke e fuqizuar Kodin Penal me këto dy nene.
Hyrja në fuqi e këtij Kodi pritet diku në janar të vitit të ardhshëm, kështu që tash mbetet për interpretim juridik kushtetues çështja se a do të hyjë fillimisht ky kod në fuqi e me pas të ndryshohet apo do të gjenden hapësira ligjore që ai të ndryshohet qysh në këtë fazë.