Ndërlidhjet

Besim Ilazi i PDK-së fiton në Kaçanik


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preleminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Ilazi, ka fituar me 52.92 për qind të votave.

Me këtë rezultat, PDK-ja siguron mandatin e kryetarit pa pasur nevojë për balotazh, ka konfirmuar Daka.

Paraprakisht edhe koalicioni i organizatave organizatave joqeveritare D4D dhe INPO kishte publikuar rezultatet e para, sipas të cilave kandidati i PDK-së, Besim Ilazi ka fituar me 53 për qind të votive.

Ai pasohet nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 20 për qind, i Vetëvendosjes me 16.5 për qind, i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 5.3 për qind dhe i Aleancës Kosova e Re, me 5 për qind.

Në bazë të ligjit, kryetari i komunës mund të zgjidhet në raundin e parë nëse kalon 50 përqindëshin.

Të dielën në Kaçanik ka udhëtuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, i cili ka përgëzuar kryetarin e ri të të kësaj komune.

Ndryshe, procesi i votimit është zhvilluar normalisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë nga ora 07:00 e mëngjesit dhe janë mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes.

Kryetarja KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa probleme. Kurse, shqetësuese mbetet dalja e ulët e qytetarëve në votime. Ajo ka theksuar se procesit të votimit i janë përgjigjur rreth 36 për qind e votuesve.

“Nëse i krahasojmë me zgjedhjet paraprake, në vitin 2009 dalja ka qenë 50.45 për qind, në vitin 2010 ka qenë 49.8 për qind, ndërsa në këto zgjedhje kemi 35.73 për qind, edhe pse ende nuk janë rezultate zyrtare, përqindja është aty diku. Dalja e votuesve ka rënë, por krahasuar me Ferizajn, kjo dalje është pak më e lartë”, ka thënë Daka.

Procesi i zgjedhjeve është monitoruar nga organizatat joqeveritare. Besnik Ramadanaj nga koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim, ka thënë se procesi ka filluar mirë, por gjatë mesditës janë shënuar disa parregullsi. Sidoqoftë, ai ka thënë se këto parregullsi nuk besohet se e kanë dëmtuar procesin.

“Në një qendër votimi, në fshatin Glloboçicë, një vëzhgues i një subjekti politik po kryen punën e komisionarit, herë duke zëvendësuar komisionarët në spërkatjen e gishtave të votuesve, herë duke u ulur në vendin e kryetarit të Këshillit të Vendvotimit, si dhe duke promovuar publikisht subjektin e tij politik”.

“Po ashtu, në këtë qendër të votimit një person i moshuar ka provuar të votojë dy herë. Në fshatin Gajre, janë evidentuar dy raste të votimit publik, si dhe një rast të tentimit për të votuar me dokumente jo valide”.

“Kurse, në fshatin Biqec, një vëzhgues i një subjekti politik ka fotokopjuar listën e votuesve dhe po bën evidentimin e votuesve, të cilët votojnë. Në po të njëjtën qendër është evidentuar që nuk janë 100 fletëvotime. Përderisa në një qendër në Kaçanik të Vjetër janë evidentuar mbi 130 raste të ndërrimit të vendvotimeve të votuesve”,
ka bërë të ditur Ramadanaj, duke treguar se ka edhe raste tjera të parregullsive.

Në këto zgjedhje të drejtën e pjesëmarrjes e kanë pasur mbi 31 mijë qytetarë.

Për kryetar të Kaçanikut kanë garuar pesë kandidatë. Ata janë: Besim Ilazi (Partia Demokratike e Kosovës), Sahit Bela (Lidhja Demokratike e Kosovës), Shukri Luta (Lëvizja Vetëvendosje), Kjani Berisha (Aleanca Kosova e Rr) dhe Tahir Çaka (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës).

Zgjedhjet e jashtëzakonshme pasuan dorëheqjen e kryetarit Xhabir Zharku, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për fuqizimin e aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin ai ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG