Ndërlidhjet

Mustafa: Jo standarde shtesë për Kosovën


Isa Mustafa
Isa Mustafa
Bashkimi Evropian nuk duhet të vendosë standarde shtesë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, deklaroi të shtunën në Prishtinë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai tha se si kryetar i partisë më të madhe opozitare dhe kryetar i Prishtinës nga niveli lokal, do të ndihmojë të gjitha institucionet që t’i përmbushin kriteret e parapara në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE-së. Njëherësh, Mustafa inkurajoi edhe Qeverinë që t’i kryejë obligimet e veta në këtë proces.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë që t’i plotësojmë kriteret. Edhe si LDK do të japim përkrahjen e plotë tonën, në mënyrë që institucionet e Kosovës, të gjitha - edhe ato të nivelit qendror, edhe ato lokal, t’i përmbushin detyrimet tona, sepse ndryshe edhe s’mund të ecim përpara”.

“Po ashtu, presim që BE-ja të ketë mirëkuptim për gjendjen tonë dhe të mos vendosë standarde tjera jashtë atyre që janë vënë për të gjitha shtetet që e kanë kaluar këtë fazë”,
u shpreh Mustafa.

Këto komente, Isa Mustafa i bëri me rastin e anëtarësimit të LDK-së në grupin e Partive Popullore Evropiane, ku bëjnë pjesë 70 parti politike të qendrës së djathtë nga 40 vende të Evropës.

Nënkryetarja e këtij grupi, Korien Uortmann-Kol, tha se partitë politike dhe Kosova, në përgjithësi, janë në rrugë të mirë të ndërtimit të demokracisë. Teksa mbështeti aspiratat e Kosovës që të bëhet pjesë e familjes së bashkuar evropiane, ajo inkurajoi të gjitha institucionet dhe partitë politike që të angazhohen më shumë në demokratizimin e brendshëm, në krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që një përparim substancial është bërë, por ka një punë shumë të madhe përpara”, tha Korien Uortman-Kol.

Më 14 qershor, Komisionarja e BE-së për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom, ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat duhet t’i plotësojë Kosova. Këto reforma kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të drejtat themelore.

“Përfundimet e dialogut për viza do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave përfshin reformat, të cilat do të duhet t’i zbatojë Qeveria e Kosovës, për të krijuar një mjedis të sigurt për të udhëtuar pa viza.
XS
SM
MD
LG