Ndërlidhjet

KQZ: PDK-ja dhe LDK-ja në balotazh për Ferizajn


Qendër numërimi - foto arkiv
Qendër numërimi - foto arkiv
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt.

Sipas këtyre rezultateve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkojnë në balotazh.

Sipas rezultateve të KQZ-së, që mbështeten në mbi 99 për qind të votave, kandidati i PDK-së, Agim Aliu, ka fituar 40.7 për qind të votave, kurse Adem Salihaj i LDK-së 24.09 për qind.

Kandidatët tjerë, ndërkaq, kanë fituar si vijon: Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 16 për qind, Naim Ferati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 11 për qind dhe Ramadan Hasani nga Aleanca Kosova e Re 4.8 për qind.

Në garën e 29 prillit kanë marrë pjesë edhe Bujar Ademi nga Partia e Drejtësisë, Ramadan Emini nga Lëvizja e Bashkuar, si dhe kandidati i pavarur Rrahim Sadiku.

Pas procedurave të ankesave dhe parashtresave, do të pason edhe caktimi i datës së balotazhit ndërmjet kandidatëve të PDK-së dhe LDK-së.

Edhe organizatat që kanë vëzhguar zgjedhjet kanë publikuar rezultate të ngjashme.



Procesi i votimit dhe pjesëmarrja

Një vlerësimi i përgjithshëm i procesit zgjedhor në këtë komunë u dha nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organizatat joqeveritare, sipas të cilave zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e Ferizajt kanë kaluar kryesisht qetë, ndonëse me disa parregullsi, të cilat nuk e kanë dëmtuar procesin.

Sipas KQZ-së, të drejtën e votës e kishin mbi 95 mijë qytetarë. Por, ajo që ishte shqetësuese për zgjedhjet e Ferizajt, ishte pjesëmarrja e ulët e elektoratit që sillej diku në mbi 31.07 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi opinionin se votimet janë hapur me kohë në ora 7:00 të mëngjesit dhe janë mbyllur në ora 19:00 të mbrëmjes.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, deklaroi se disa parregullsi të evidentuara megjithatë nuk e dëmtojnë imazhin e këtyre zgjedhjeve.

“Për disa parregullsi që janë paraqitur, ka konfirmime se ato janë evituar me sukses dhe nuk ka ndonjë raportim që do ta dëmtonte imazhin e këtij procesi zgjedhor”, deklaroi Daka.

Ajo vlerësoi se dalja prej 31.07 për qind e elektoratit të votime paraqet një dalje të ulët.

Me disa vërejtje, ky proces zgjedhor është lavdëruar edhe nga vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Ismet Kryeziu nga ky koalicion tha se janë hetuar disa parregullsi, por të cilat, sipas tij, nuk e dëmtojnë procesin si tërësi.

“Së paku në dy qendrat më të mëdha në zonën urbane të Ferizajt qytetarët kanë pasur vështirësi t’i gjejnë emrat e tyre në listën e votuesve, ngase u është ndërruar vendvotimi por ata s’kanë pasur informacion të mjaftueshëm”.

“Pastaj, kemi rastin e një qendre në Zaskot ku kishim një mosmarrëveshje mes komisionarëve, çka solli ndërprerjen e votimit për disa minuta, po ashtu edhe në shkollën ‘Faik Konica’ kemi pasur njerëz të paautorizuar që kanë ushtruar presion mbi votuesit dhe komisionarët. Por, deri më tani për sa kemi parë, është një avancim i procesit në Ferizaj nga të gjitha zgjedhjet e deritashme”, tha Kryeziu.

Ndër parregullsitë tjera, vëzhguesit kanë hetuar edhe vendosjen e posterëve afër qendrave të votimit, pastaj mosfunksionim e llambave verifikuese, si dhe sërish janë hasur emrat e personave të vdekur në listat e votuesve.

Zgjedhjet janë vëzhguar edhe nga INPO dhe D4D. Avni Bytyçi nga këto organizata tha se janë hasur disa parregullsi.

“Bateritë dhe ngjyrat (llambat verifikuese) nuk janë duke funksionuar në nivelin efikas dhe të kënaqshëm, për arsye se kontrollimi nuk po bëhet në nivelin e duhur. Po ashtu, kemi vërejtur se në disa qendra të votimeve organizimi i zgjedhjeve bëhet në katet e larta nga kati i dytë dhe katër dhe ku nuk ka organizim për të hendikepuarit që të votojnë”.

“Po ashtu, kemi vërejtur një numër të caktuar të individëve të paidentifikuar, të cilët nuk janë të certifikuar nga KQZ-ja dhe të cilët sorollaten poshtë e lart vendvotimeve”
, theksoi Bytyçi.

Këto zgjedhje janë monitoruar nga 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.

Gjatë orëve të mesditës dhe sidomos pasdite edhe partitë politike filluan me kritika e akuza të ndërsjella për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit të deritashëm, Bajrush Xhemajli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG