Ndërlidhjet

Rreziqet potenciale në veri të Kosovës


Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës e kanë tensionuar skajshmërisht situatën në atë pjesë të vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Sipas tyre, nëse elitat politike nuk ndërmarrin hapa për ta qetësuar gjendjen, situata mund të acarohet edhe më tej, duke sjellë probleme dhe rreziqe të shumta.

Politikani serb nga Leposaviqi, Dragisha Kërstoviq, thotë se zhvillimet në veri janë duke e provokuar thellimin e gjendjes, e cila sipas tij, edhe ashtu është mjaft e rënduar.

Këtu ka gjithçka, duke filluar që nga sulmet e ndërsjella, të cilat janë të motivuara etnikisht e deri te sjelljet që mund ta provokojnë njërën ose palën tjetër, në kuptimin siç është për shembull, të themi, mbajtja e zgjedhjeve lokale në Zubin Potok dhe Zveçan. Ka edhe të tjera, si për shembull shfaqja e disa shqiptarëve të armatosur në barrikadën e cila është vendosur së fundmi. Këto janë gjëra që, nëse asgjë tjetër, të paktën mund të prodhojnë frikë ose veprime që mund të jenë shkaktar të trazirave të gjera”, shprehet Kërstoviq.

Të gjitha këto, sipas tij, mund ta çrregullojnë paqen e brishtë dhe të sjellin situata, të cilat sipas tij, askush nuk i dëshiron.

Situatën në veri të Kosovës, si mjaft shqetësuese e përshkruan edhe analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave.

Siç thotë ai, zvarritja e zgjidhjes së problemit të veriut të vendit, ka prodhuar shumë faktorë dhe protagonistë që pengojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Situata e tanishme, sipas tij, mund të prodhojë rreziqe të shumta.

Në mënyrë definitive, është një situatë e rrezikshme dhe jo vetëm për veriun e Kosovës, por për tërë Kosovën e pse jo edhe për tërë rajonin. Në fakt, tensionet që po nxitë Mitrovica, reflektohen në krejt Kosovën e më gjerë dhe na e përkujton shumë marsin e vitit 2004, kur trazirat në Mitrovicë, shumë lehtë, brenda ditës, u përhapën në tërë Kosovën. Këtë potencial, për një eskalim të tillë e mban edhe sot veriu i Kosovës, dhe sigurisht se ka potencial për të nxitur trazira të gjera në krejt Kosovën”, vlerëson Arifaj.

Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se nuk e përjashtojnë mundësinë që organet shtetërore të Kosovës të ndërhyjnë në veri të vendit, ndonëse ata gjithashtu e kanë potencuar se një përgjegjësi të plotë për veprim në atë pjesë e kanë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.

Në anën tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian i kanë kundërshtuar mundësitë e përdorimit të dhunës në veri të vendit nga ana e institucioneve kosovare.

Qasjen e tillë, ata e kanë cilësuar si kundër-produktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane, duke nënvizuar se zgjidhja e problemeve duhet gjetur përmes dialogut.

Por, Kërstoviq vlerëson se nëse situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar ose përkeqësohet edhe më shumë, atëherë fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të nisë pas zgjedhjeve serbe që mbahen më 6 maj, do të vihet në pikëpyetje.

Në çfarëdo rasti, tensionet të cilat janë evidente, nëse vazhdojnë edhe më tej, mund të sjellin deri te ajo që dialogu të shtyhet dhe në këtë mënyrë krijohet hapësirë për disa ngjarje të reja, të cilat edhe më tej mund ta komplikojnë situatën”, thotë Kërstoviq.

Por, analisti Arifaj, nuk e sheh fare të arsyeshëm rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në formën se si është zhvilluar deri më tash. Madje, dialogun e deritashëm ai e sheh si shkaktar të tensioneve.

Faktikisht, dialogu ka sjellë të kundërtën e asaj që është dashur të sjell. Në vend që të paraqes një farë fillimi të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fakt, dialogu ka sjellë një tensionim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çfarë nuk e kemi parë që nga përfundimi i luftës. Për këtë, është shumë e rëndësishme që të mos vazhdohet me këtë format të bisedimeve, por të ndalemi dhe të kërkojmë një format të ri të bisedimeve”, thekson Arifaj.

Sidoqoftë, ai thotë se kosovarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë kundër dialogut, por ai duhet të jetë i atillë, që të sjellë përfitime dhe ndryshime pozitive për të gjithë, dhe jo përkeqësim të situatës.
XS
SM
MD
LG