Ndërlidhjet

Vizita e Tadiqit, porosi politike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Pavarësisht se vizita në Kosovë e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, ishte paralajmëruar të jetë me karakter fetar, për shkak të pjesëmarrjes në liturgjinë fetare të krishtlindjeve ortodokse, kjo vizitë nuk mund t’i shmanget konotacioneve politike, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Analisti Halil Matoshi thotë se ardhja e kryetarit serb në Kosovë, në rrethanat aktuale, bart në vete refleksionin politik.

Halil Matoshi
Halil Matoshi
Unë mendoj se zoti Tadiq, kësaj here, vjen me mesazhe paksa më të zbutura, gjë që i duhet edhe për çështje të brendshme, sepse tash fillon fushata zgjedhore në Serbi. Por, mendoj se ai do të përpiqet të jetë i matur dhe t’i animojë serbët kosovarë që të debarrikadohen, nëse mund të them kështu, si dhe që t’i shohin mundësitë që të integrohen në jetën publike dhe institucionale të Kosovës. Në këtë kontekst, mendoj se është koha e fundit që Serbia do të lëvizë përpara”, thotë Matoshi.

Ndërkaq, analisti Ardian Arifaj, vizitën e kryetarit serb, Tadiq, në Kosovë e sheh krejtësisht si politike, për shkak se, sipas tij, institucionet kryesore fetare dhe faltoret kryesore të ortodoksisë serbe janë në Serbi dhe jo në Kosovë. Sipas tij, vetë vizita e kryetarit serb në Kosovë është një lloj i porosisë politike, qoftë për konsumin e brendshëm në Serbi, qoftë si porosi për bashkësinë ndërkombëtare dhe për Kosovën.
Çfarë është më e rëndësishme, është një vizitë, e cila sigurisht ka për t’u perceptuar si shumë hipokrite.

“Çfarë është më e rëndësishme, është një vizitë, e cila sigurisht ka për t’u perceptuar si shumë hipokrite. Kjo, për shkak se, derisa kryetari Tadiq në Kosovë bën thirrje për paqe, formalisht, në të njëjtën kohë, shteti dhe institucionet që kryetari Tadiq udhëheqë, në veriun e Kosovës e kanë vrarë një polic të Kosovës, kanë plagosur ushtarë gjermanë, kanë plagosur ushtarë austriakë, në këta muajt e fundit. Pra, është një hipokrizi, e cila shihet si e tillë dhe krijon tensione. Normalisht, ne i pamë reagimet e disa qytetarëve të Kosovës”, shprehet Arifaj.

Por, analisti Matoshi vlerëson se vizita e Tadiqit në Kosovë, do të reflektojë edhe në raportet ndërmjet faktorëve politikë të vendit. Sipas tij, kjo vizitë do t’i krijojë pretekst opozitës që ta kritikojë Qeverinë e vendit.

“Kjo është logjike. Opozita do ta përdorë këtë vizitë të kryetarit serb, për ta sulmuar Qeverinë dhe institucionet e vendit. Mirëpo, në esencë, raportet janë të tilla, që një vizitë e tillë praktikisht mund të ndihmojë edhe një shtendosje në mesin e serbëve të Kosovës në raport me Kosovën, me Prishtinën zyrtare, por edhe me Beogradin. Po shihet qartë se edhe Beogradi zyrtar, Qeveria e zotit Tadiq, nuk i ka punët shumë mirë me serbët e rebeluar, sidomos në veri të Kosovës”, thekson Matoshi.

Ndryshe, analisti Arifaj thotë se deklaratat, të cilat i ka dhënë kryetari serb, Tadiq, gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit, përmes së cilave ai ka ripërsëritur qëndrimin e autoriteteve serbe për mos-zhbërjen e institucioneve serbe në Kosovë, shpërfaqin edhe më tutje, siç e quan ai, hipokrizinë e vizitës së Tadiqit.

“Kryetari Tadiq shprehet që nuk do t’i largojnë ato institucione, por do të insistojnë për to. Arsyetimi i tij është se kjo bëhet për ta ruajtur popullatën e serbe në Kosovë dhe ekzistencën e saj në Kosovë, gjë që , përsëri, është hipokrizi. Nuk është aspak e saktë, sepse pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të lumit Ibër. Dy të tretat e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të lumit Ibër dhe nuk janë aspak të rrezikuar pse marrin pjesë në jetën institucionale të Kosovës”, shton Arifaj.

Ndryshe, vizita e Tadiqit në Kosovë, të premten ka nxitur reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në mënyra të ndryshme është përpjekur që ta pengojë hyrjen e kryetarit serb në Kosovë. Protesta të aktivistëve të kësaj lëvizjeje, por edhe të një numri të qytetarëve, ka pasur të premten edhe në Deçan.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG