Ndërlidhjet

Propozimi i Hazirit për kufijtë


Lutfi Haziri
Lutfi Haziri
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, vazhdon të proklamojë idetë e tij për nisjen e rishikimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai beson se komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvexhë, padrejtësisht janë brenda kufijve aktualë të Serbisë, përderisa njësoj mendon edhe për komunën e veriut të Kosovës, si Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut, të cilat thotë se mund t’i bashkoheshin Serbisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Z.Haziri, ju kemi dëgjuar në Parlamentin e Kosovës kur propozuat ide për zgjidhjen e çështjes së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. A mund të na e përshkruani në pika të shkurta në çka konsiston ky propozim?
LUTFI HAZIRI
Propozimi im për rishikimin e parimit të kufijve, nga ajo që është thënë dhe vendosur, dhe është shpallur pavarësia e Kosovës, apo deklarata e koordinuar për pavarësinë e Kosovës, nga kufijtë e vitit 1974 drejt kufijve të vitit 1956, ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të njerëzve, në radhë të parë, jo të tokave.

Dallimi me propozimet tjera që përfshijnë edhe opsionet serbe, por edhe opsionet e disa grupeve politike në Kosovë është që të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e njeriut, në radhë të parë, dhe të drejtat e pakicave nacionale vijnë në shprehje, e më pas edhe tokat e tyre ku ata jetojnë. Shqiptarët në Kosovën lindore që përfshijnë territoret e Preshevës, Bujanocit dhe një pjesë të madhe të Medvegjës, zgjidhen si problem politik duke ua njohur të drejtën e administrimit të Prishtinës si kryeqytet i atdheut të tyre.

Ndërsa, Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin Potokut i kthehen qendrës së vet politike, i kthehen Serbisë dhe bëhet përmirësimi i krejt kësaj gjendjeje, realizimi i të drejtave të njerëzve dhe zgjidhja e problemit në veri në pjesën dominante, por edhe në lindje për shumicën e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse shihet gjendja aktuale në veriun e Kosovës, megjithatë ju përmendët dy komuna veriore, por nga ana tjetër opsioni serb është që ky kufi, eventualisht të ishte tek ura mbi lumin Ibër. Cili është vizioni i juaj me këtë rast?
LUTFI HAZIRI
Unë, në fakt, kam dalë si deputet dhe në kuadër të legjitimitetit qytetar, sepse jam zgjedhur deputet mbi listat e hapura dhe nuk kam bërë propozim të partive politike, sepse kam dashur t’u ik ngjyrimeve partiake. Kufijtë që Serbia po i pretendon që kanë të bëjnë me kufirin natyror të lumit Ibër në veri, dhe Moravën e Binçës në Anamoravë, si dy pika territoriale ku shtrihet sovraniteti i Serbisë, janë të papranueshme. Janë të papranueshme, sepse është kufi i imponuar nga boshti famëkeq i Luftës së Dytë Botërore.

Mitrovica e Kosovës ka qenë gjithmonë, territorialisht, në të gjitha proceset, pjesë e Kosovës, siç ka qenë Zveçani dhe pjesa malore e fshatrave Boletin, Zhazhë e Bistricë, në anën tjetër. Ndërsa, Leposaviqi me disa fshatra gjithmonë kanë qenë predominante serbe dhe kanë qenë të dirigjuara nga qendra që është më e afërt, Kraleva, vendbanimi më i madh serb.

Propozimi ka të bëjë me rregullimin e kufijve mbi parimin e vitit 1956, i cili eliminon ndarjen e Kosovës, eliminon ndarjen e jashtme territoriale të Kosovës dhe tendencës që Serbia e ka tash për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës. Rishikimi i krejt kësaj dhe njohja që në hekurudhë në lindje të Kosovës të jetë kufiri, dhe në pjesën malore në veri dhe lindje, zgjidh problemet e njerëzve në radhë të parë, por edhe problemet mes Kosovës dhe Serbisë dhe është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Me këtë propozim nuk preket Maqedonia e sotme, ajo mbetet e paprekshme, kufijtë e saj janë të pranuar ndërkombëtarisht dhe, natyrisht, edhe Kosova në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, ka pranuar procesin e demarkacionit dhe kur të vijë koha ratifikohet si proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Z.Haziri, ju keni qenë pjesë e shumë proceseve të rëndësishme, përfshirwedhe atë të vendosjes së statusit të Kosovës. Në mesin e shumë parimeve që Grupi i Kontaktit kishte vendosur atëherë, ishte edhe ai i mosndryshimit të kufijve aktualë të Kosovës. Sa është propozimi i juaj në harmoni apo dis-harmoni me parimet e Grupit të Kontaktit?

LUTFI HAZIRI
Është e vërtetë, Grupi i Kontaktit në takimin e Londrës, në kuadër të pyetjes dhe kërkesës së z.Ahtisari, si ndërmjetës ndërkombëtar i OKB-së për Kosovën, se çfarë qasje duhet pasur për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i ka dhënë katër parime dhe një prej tyre ka qenë ai i mosndryshimit të kufijve të brendshëm dhe të jashtëm të ish-Jugosllavisë si pjesë e shpërbërë tashmë. Kjo është bërë si konsekuencë e Konferencës së Dejtonit dhe në rastin e Kosovës ka ndihmuar në zgjidhjen e problemit, sepse nuk i është njohur rezultati i luftës as serbëve, kroatëve, e as boshnjakëve. Do të thotë është eliminuar tendenca që me aktin e luftës, zaptimi i territoreve dhe spastrimet etnike të mos njihen.

Në rastin e Kosovës do të ishte fatale nëse kjo do të njihej, sepse në atë rast jo vetëm që do të vinte deri te ndarja, por edhe deri te rishikimi komplet i gjendjes. Ne e kemi respektuar, ndërmjetësi ndërkombëtar e ka respektuar këtë dhe në kuadër të shpërbërjes së ish-RSFJ-së, në takimet e Vjenës është ruajtur parimi i kufijve të vitit 1974. Më lejoni të them se më 1974, apo Kosova në kufijtë e Fadil Hoxhës, e nxjerrë si pasojë e dy proceseve në ish-Jugosllavi të vitit 1956 e njohur në Kosovë si koha e Rankoviqit, ish- ministri i Punëve të Brendshme e deri në vitin 1965 është bërë akt i kryer.

Pavarësisht që çmimin e ka paguar i ndjeri Rankoviq si famëkeq për sjelljet e tij, me largim nga posti, asnjëherë nuk ishte kthyer gjendja prapa, ashtu si ka qenë. Nëse ai ka fabrikuar kufij administrativë në atë kohë, ka ndryshuar rrethana demografike me dhunë e me represion, ka ndryshuar kufij e zona kadastrale dhe komunale me çdo kusht, kështu që del që shqiptarët më 1974 kanë fituar politikisht, por kanë humbur në kompaktësi dhe në territore.

Mirëpo, edhe në atë kohë është thënë që duhet të fitojmë diçka për të mos humbur gjithçka dhe ai parim më vonë na ka shërbyer neve për ta fituar statusin e shtetit të pavarur e sovran, por nuk kemi arritur ta kompensojmë humbjen e njerëzve.

Për mua, qytetarët shqiptarë jashtë Kosovës janë më të vlefshëm sesa territoret. Humbja e tyre është e madhe dhe natyrisht prona e tyre është e shenjtë, pasi që ne nuk mund të flasim vetëm për njerëzit duke e mohuar të drejtën e pronës. Në këtë rast përmirësimi i parimit të vitit ‘74, është kërkesë legjitime, e cila i jep opsion zgjidhjes së problemeve. Një dialog paqësor politik mes Kosovës dhe Serbisë do ta zgjidhte përfundimisht këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo çfarë vazhdimisht e kanë theksuar edhe mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë në rastin e Kosovës është se ky shtet do të duhej të dallonte nga Shqipëria për shkak se është definuar si shtet shumë-etnik dhe jo si shtet etnik. Sa e rrezikon, kushtimisht thënë, propozimi i juaj shumë-etnicitetin e shtetit të Kosovës?
LUTFI HAZIRI
Absolutisht, në asnjë mënyrë nuk e prek. Serbët dhe të tjerët vazhdojnë t’i japin multi-etnicitet Kosovës për aq sa jetojnë në Kosovë. Ne nuk mund të fabrikojmë numra për të qenë shumë më shumë, sepse atëherë po i bie që ne duhet të japim edhe më shumë territore dhe komuna për ta ruajtur multi-etnicitetin. Ky parim është vendosur.

Kosova është shpallur multi-etnike për aq sa është multi-etnike dhe vetë z.Ahtisari ka thënë dhe e ka përshkruar gjendjen në mënyrën më brilante të mundshme se multi-etniciteti ruhet edhe në Kosovë edhe në Finlandë, për aq sa ka komunitete tradicionale që jetojnë aty. Nuk është me rëndësi se sa për qind janë ata, me rëndësi është se a janë apo nuk janë ata.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni optimistë atëherë se do të hasni në opinione pozitive qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd për idetë tuaja?
LUTFI HAZIRI
Unë do të vazhdoj të komunikoj me njerëz, me të gjithë ata që janë të interesuar. Do të vazhdoj të tregoj se të drejtat politike dhe zgjidhja e problemeve nuk janë të lehta, por nuk besoj dhe nuk mendoj asnjëherë se për hir disa parimeve që janë tejkaluar tashmë, duhet të vuajnë njerëzit dhe të drejtat e tyre kolektive atje duhet të garantohen dhe garantuesi më i madh është nëse ata (shqiptarët e Luginës së Preshevës), jetojnë në Kosovë. Ata pandershëm dhe padrejtësisht janë ndarë dhe janë mbajtur nën këtë presion.

Marrëveshja e Konçulit mes UÇPMB-së, faktorit ndërkombëtar dhe Serbisë në anën tjetër, referendumi i tyre dhe shumë akte tregojnë qartë se vullneti i tyre është i shprehur dhe është i qartë. Andaj, ne duhet të fillojmë ta respektojmë dhe është hapësirë e mirë që t’i japim impakt pozitiv.

Në anën tjetër, me këtë propozim në asnjë mënyrë nuk e rrezikojmë tërësinë territoriale të Kosovës dhe eliminojmë kërcënimin e ndarjes së brendshme të Kosovës, çfarë po kërkon sot Serbia. Fundja, propozimet janë për t’u shqyrtuar nëse ia vlejnë të shqyrtohen dhe nëse jo, ka edhe opsione tjera, por të cilat janë më të vështira dhe më të gjata.

Të mos harrojmë ne, si Ballkan Perëndimor, po e shohim se çfarë perspektive kemi kur është fjala për integrimet evropiane, por duhet pasur parasysh që në BE nuk shkohet pa i zgjidhur problemet etnike, ato të të drejtave të njeriut dhe pa konceptim evropian. Prandaj, ne duhet t’i zgjidhim këto probleme që ta vazhdojmë rrugën njëkahëshe drejt BE-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG