Forca shumëkombëshe e KFOR-it kundërshton vënien e kushteve nga ana e serbëve në lidhje me lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.
Një zëdhënës i KFOR-it në Prishtinë, Uve Novicki tha për Radion Evropa e Lirë se liria e lëvizjes duhet të arrihet për të gjitha palët, duke përfshirë si organizatat ndërkombëtare ashtu edhe gjithë popullin e Kosovës.
Reagimet nga KFOR-i vijnë në ditën kur përfaqësues të komunave paralele serbe në veri kanë dalë me disa qëndrime në lidhje me lirinë e lëvizjes në këtë pjesë.
Këta përfaqësues kanë marrë vendim që barrikadat nëpër rrugë të mbeten.
Ata i kanë kërkuar EULEX-it që si shkëmbim për mundësimin e qarkullimit nëpër rrugët në veri të Kosovës, ky mision të heqë dorë nga transporti dhe përkrahja logjistike për doganierët dhe policët kufitarë kosovarë në portat 1 dhe 31.
Përderisa për KFOR-in, këta përfaqësues të serbëve janë treguar më fleksibilë.
Pas takimit të kryetarëve të katër komunave paralele në veri, njëri nga liderët e këtyre strukturave, Sllavisha Ristiq tha se për EULEX-in ende nuk ka kushte që të qarkullojë lirshëm në veri të Kosovës.
“Konsiderojmë se në këtë moment nuk janë krijuar kushtet që të lejojmë EULEX-in që të lëvizë lirshëm”, tha Ristiq, duke kërkuar që ky mision të heqë dorë nga transporti dhe mbështetja logjistike për doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës.
Por, misioni i EULEX-it, në anën tjetër, porositë serbët që në afatin më të shkurtë kohor t’í heqin barrikadat.
Bllokimi i rrugëve nuk paraqet protestë paqësore dhe heqjen e tyre e pret jo vetëm EULEX-i, por edhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, ka thënë zëdhënësja e këtij misioni, Irina Gudeleviq.
“Liria e lëvizjes duhet të rivendoset në afatin më të shkurtë kohor dhe atë me heqjen e barrikadave, çka do të jetë në interes të banorëve lokalë dhe organizatave e misioneve ndërkombëtare, si KFOR-i, EULEX-i e të tjerë”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it.
Përfaqësuesit e serbëve i kanë dërguar letër edhe komandantit të KFOR-it, Erhard Drevs, të cilin e kanë ftuar të bisedojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme në lidhje me qarkullimin e ushtarëve të KFOR-it në veri dhe furnizimin e tyre në pikat kufitare.
Në lidhje me kërkesat e serbëve, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki tha se liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in dhe jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme.
“Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin, në çdo kohë. Kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.
Ai rikujton se edhe më herët u është bërë e qartë përfaqësuesve të komunave në veri, se liria e lëvizjes nuk mund të kushtëzohet.
Sidoqoftë, strukturat paralele në veri, zotohen se do të vazhdojnë me barrikadimin e rrugëve.
Një tjetër përfaqësues i këtyre strukturave, Radenko Nedelkoviq tha se serbët në veri janë të bashkuar dhe do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e qëllimeve.
“Ne do ta vazhdojmë luftën tonë të qetë dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë që t’í përgjigjen pozitivisht thirrjeve për barrikada dhe protesta paqësore deri në përmbushjen e qëllimeve”, tha Nedelkoviq.
E qëllimi kryesor është që serbët të mbeten në trevat e tyre dhe në kuadër të Serbisë, tha ai.
Barrikadat nëpër rrugët në veri të Kosovës janë vendosur nga serbët si reagim ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit.
Pengesat rrugore u përforcuan pas 16 shtatorit, kur edhe autoritetet ndërkombëtare i dhanë mbështetje Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të Jarinës dhe Bërnjakut.
KFOR-i ka bërë të ditur se pika kufitare 31, në Bërnjak, është e kalueshme, por megjithatë mbetet sfidë se si mund të qarkullohet nga kjo pikë për në Mitrovicë, pasi që strukturat ilegale të pushtetit atje në vazhdimësi vendosin barrikada të reja.