Ndërlidhjet

Dialogu vazhdon me kushte


Kryenegociatorët në bisedime.
Kryenegociatorët në bisedime.
Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të shprehin mendime të ndryshme në lidhje me vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e disa çështjeve praktike ndërmjet dy vendeve, të definuara tashmë nga ana e Bashkimit Evropian.

Pas përmbylljes së raundit të vizitave dyditëshe në Beograd dhe në Prishtinë të ndërmjetësuesit të BE-së në këtë dialog, Robert Kuper, Prishtina zyrtare shprehet e gatshme të vazhdojë dialogun për çështje teknike me Serbinë, por pa përfshirë në agjendë edhe çështjet politike të ngritura nga Beogradi.

Pas një takimi që zhvilloi me ndërmjetësuesin e BE-së në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Kuper, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se e ka njoftuar zyrtarin e BE-së me pozicionin e Prishtinës kundër futjes së temave politike në agjendën e bisedimeve.

Ajo tha se edhe ndërmjetësuesi Kuper është pajtuar që bisedimet nuk mund të përfshijnë temat e kërkuara nga Serbia, për diskutimin e “zgjidhjeve në pikat doganore 1 dhe 31, në veri të Kosovës”.

“Në bisedat në Beograd, zoti Kuper sërish është ballafaquar me kërkesën e palës serbe që çështja e pikave doganore të shtrohet në kuadër të dialogut teknik. Për këtë kërkesë, qëndrimi i BE-së ka qenë refuzues. Pra, është refuzuar që kjo çështje të shtrohet në kuadër të dialogut. Në këtë pikë, ne pajtohemi me BE-në se për çështjet e sovranitetit shtetëror, nuk bisedojmë me shtetin fqinj”, tha Tahiri.

Shefi i delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Borisllav Stefanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria serbe do të vazhdojë bisedimet, por nuk do të tërhiqet nga kërkesa për zgjidhjen e çështjes së pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Ai tha se për zhvillimet në veri, Beogradi nuk bisedon me Prishtinën, por me bashkësinë ndërkombëtare.

“Tema për veriun e Kosovës është e pashmangshme dhe ajo do të hapet një ditë. Pavarësisht jogatishmërisë së Prishtinës që të bisedohet për këtë temë, të jeni të sigurt se në një moment do të hapet ky dialog, ngase aty është çelësi i zgjidhjes së problemit të Kosovës”, tha Stefanoviq.

Ai nuk ka qenë shumë i qartë nëse pala serbe do të jetë apo jo në tavolinën e bisedimeve gjatë takimit të radhës, pasi që e ka ndërlidhur këtë me definimin paraprak të një kornize për zgjidhjen e çështjes së doganave në veri të Kosovës.

“Sa i përket dialogut me Prishtinën, ne jemi të gatshëm që ta vazhdojmë në afatin më të shkurtër kohor, por natyrisht pasi që të ndërtojmë një kornizë të zgjidhjes së ardhshme për vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinë”, tha Stefanoviq.

Në anën tjetër, kryenegociatorja Tahiri tha se për kërkesat serbe, Bashkimi Evropian nuk ka mirëkuptim.

Ajo deklaroi po ashtu se i ka kërkuar ndërmjetësuesit Kuper që në raundin e ardhshëm të bisedimeve, Bashkimi Evropian të përcaktojë 20 nëntorin si afatin kur BE-ja do të vlerësojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Ne kemi propozuar datën 20 nëntor që të jetë afati i fundit i zbatimit të marrëveshjeve, sepse duhet t’i jepet kohë BE-së për të vërtetuar se a po zbatohen këto marrëveshje dhe çfarë roli po luajnë palët në këtë zbatim, në mënyrë që kah mesi i dhjetorit, kur del vendimi për përparimin e vendeve, ai të bazohet edhe në rezultatet e dialogut”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa palët kanë shprehur mendime të ndryshme rreth vazhdimit të dialogut, Robert Kuper është larguar nga Prishtina pa u prononcuar për media.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, kërkoi që Kosova të shpërblehet nga Bashkimi Evropian me liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, për rolin e saj konstruktiv në këto bisedime.

Takimi i radhës nuk është caktuar ende, ngase Robert Kuper u tha se do të ketë nevojë për konsultime shtesë, sidomos me palën serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG