Ndërlidhjet

Dilema para vizitës së Kuperit në Prishtinë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

I dërguari i Bashkimit Evropian për ndërmjetësim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, pritet që të vizitojë të hënën Prishtinën.

Pas takimeve jo shumë inkurajuese me palën serbe në Beograd, Kuper pritet të bisedojë edhe me shefen e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri në lidhje me vazhdimin e dialogut.

Takimi i radhës, ishte paraparë për datën 14 tetor, mirëpo nuk dihet nëse ai do të zhvillohet për shkak të insistimeve të palës serbe që temë diskutimi të jenë edhe pikat doganore 1 dhe 31 dhe vet gjendja e krijuar në veri të Kosovës.

Shefja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri thotë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë, se për këto çështje të cilat Serbia kërkon dialog, nuk do të bisedohet.

Ne kemi platformën e qartë për këtë dialog, me vijat e kuqe, që nënkupton se për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, për sovranitet dhe integritet territorial të shtetit tonë, nuk bisedojmë asnjëherë me Serbinë. Për këtë qëndrim kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që janë po ashtu ndërmjetësues në këtë dialog”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për gazetarë ka adresuar shumë shqetësime në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Deputeti i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, thotë se është vet kryeministri Hashim Thaçi ai i cili po e nxit dialogun politik me Serbinë. Kjo sipas tij, bëhet për qëllime personale të mbijetesës së Thaçit në skenën politike të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka kurrfarë trysnie nga ndërkombëtarët që të takohet me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq.
Tash në këto negociata do të flitet për veriun e Kosovës ose do të thellohet diskutimi dhe pajtimi me Serbinë për rregullimin e brendshëm territorial dhe institucional të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka kurrfarë trysnie nga ndërkombëtarët që të takohet me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq. Vet kryeministri Thaçi po bën trysni që të takohet me Tadiqin duke përsëritur shumë herë këtë kërkesë të tij për t’u takuar me Tadiqin, ai po e shndërron kërkesën në lutje”, thotë Ymeri.

Hyrja e Qeverisë së Kosovës në bisedime me Serbinë ishte bërë pa miratimin e opozitës, e cila nuk e pati votuar rezolutën në kuvend me të cilën qeveria autorizohej të fillonte negociatat për çështjet teknike me shtetin fqinj.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se këto bisedime kanë qenë politike nga fillimi dhe se tani vetëm po dëshirohet që ky dialog të ngarkohet edhe me një temë ekskluzive politike, siç është veriu i Kosovës.

Asgjë nuk është e re nëse tash thuhet se do të ketë bisedime politike, përpos asaj që nuk po thuhet një e vërtetë që ato kanë qenë politike që nga fillimi. Për LDK-në aktualisht nuk duhet të ketë kurrfarë bisedimesh sepse nuk ka me kënd të bisedosh në kuptimin e asaj që Serbia e ka të njëjtin qëndrim që e ka pas edhe më herët”, thekson Beqiri.

Sidoqoftë, pas pozicionit serb për dialog politik dhe kundërshtimeve të palës kosovare, mbase tani mund të pritet që Bashkimi Evropian ta thotë fjalën e vet në lidhje me vazhdimin, formën dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG