Ndërlidhjet

Thirrje për trysni


Pamje nga veriu i Kosovës
Pamje nga veriu i Kosovës
Pas marrjes nën kontroll të pikave doganore në veri, Kosova do t’i koordinojë edhe hapat e ardhshëm me KFOR-in dhe EULEX-in, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Në një adresim para Parlamentit, Rexhepi ka folur për gjendjen në veri që nga aksioni i 16 shtatorit.

Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysninë mbi Beogradin për zhbllokimin e rrugëve.

Përndryshe, Rexhepi tha se strukturat e sigurisë do t’i heqin barrikadat nëse një gjë të tillë nuk e bëjnë vetë serbët lokalë.

Në përgjithësi, situatën e sigurisë në veri, ai e përshkroi si të qetë, por me tensione, ndërsa u zotua se gjendja megjithatë është nën kontroll të organeve të rendit.

Nëse nuk bëjnë punë trysnitë e Brukselit ndaj Beogradit, sepse edhe Beogradi qëndron prapa këtyre barrikadave, atëherë ne duhet të koordinohemi me KFOR-in e EULEX-in dhe të mundësojmë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e njerëzve në këto pjesë duke i hequr barrikadat”, ka thënë Rexhepi.

Pas aksionit të përbashkët në pikat doganore, për normalizimin e gjendjes në veri nevojiten edhe veprime konkrete në terren si edhe në institucionet lokale në atë pjesë, përfshi edhe gjykatat, ka thënë ministri Rexhepi.

Por të gjitha veprimet e ardhshme ai tha se do të koordinohen me NATO-n dhe EULEX-in.

Vendosja e funksionimit të plotë të pikës 1 dhe 31 me rolin udhëheqës të policisë kufitare dhe të doganierëve është një hap i madh drejt shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, por është vetëm një hap i madh dhe se sfidat ekzistojnë edhe më tutje siç janë, vazhdimi i hetimeve, arrestimi i kriminelëve çështja e kthimit të gjyqësorit, por këto janë tema të cilat në vazhdim bashkë me partnerët ndërkombëtarë do t’i përgatisim dhe do t’i realizojmë”, ka thënë Rexhepi.

Për gjendjen në veri ka folur sot dhe ambasadori francez në Prishtinë, Zhan Fransua Fitu i cili ka përjashtuar mundësinë e ekzistimit të planeve të fshehta ndërkombëtare për veriun. Ai tha se plani i vetëm për veriun është ai i cili aktualisht po zbatohet atje.

Sa unë e di nuk ekziston ndonjë plan i brendshëm ndërkombëtar për veriun.
Sa unë e di nuk ekziston ndonjë plan i brendshëm ndërkombëtar për veriun”, tha Fitu.

Qeveria bashkë me EULEX-in, sipas tij, po bëjnë punën më të mirë duke zbatuar marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë – Beograd të arritur më 2 shtator në Bruksel.

Ai tha se pret që edhe Qeveria e Serbisë të ndërmarrë veprime të ngjashme dhe të ndikoj te serbët që t’i heqin barrikadat.

Në anën tjetër, lëvizja Vetëvendosja vazhdon t’i cilësojë planin dhe veprimet e fundit në veri si të pa menduara mirë dhe me pasoja për Kosovën.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se që nga aksioni në veri, Beogradi ka shtuar praninë dhe ka rritur kontrollin në këtë pjesë të Kosovës.

Kjo pjesë e Kosovës, veriu, është shndërruar në poligon të Beogradit. Ndonëse qeveria përditë e përsërit se në veri ka filluar të sundoj ligji dhe rendi është shumë e qartë që fatkeqësisht atje sundon vetëm ligji i bandave të armatosura të Serbisë dhe rendi i barrikadave. Në veri të Kosovës politikisht sundon pushteti lokal i tri komunave të veriut që janë shkëputur moti nga Prishtina në koalicion me Beogradin”, ka deklaruar Konjufca.

Sidoqoftë, masat në veri, sipas sqarimeve të ministrit Bajram Rexhepi do të zgjasin gjashtë muaj.

Doganierët dhe policët kufitarë do të barten për në portat kufitare me helikopterë, kurse qarkullimi i mallrave mbetet i kufizuar, pasi që edhe pas funksionalizimit të doganave atje, mallrat e Serbisë për të cilat paguhet akciza do të mund të hyjnë në Kosovë vetëm përmes portës 3 në Mërdare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG