Ndërlidhjet

Rivalitetet e panevojshme për njohjet


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës
Fërkimet ndërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës Behxhet Pacolli, lidhur me meritat për njohjet e fundit të Kosovës nga 4 shtete, janë krejtësisht të panevojshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Kështu vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend.

Analisti Halil Matoshi thotë se rivaliteti brenda të njëjtës qeveri dëshmon jo parimësinë e koalicionit aktual qeverisës mbi të cilin është bërë ky koalicion.

Sipas tij, fërkimet e fundit nxjerrin në pah se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës po i personalizojnë detyrat dhe punët e shtetit, duke dashur që nga to të krijojnë famë dhe mbështetje popullore.

Në këtë rast, zoti Pacolli, si zëvendëskryeministër i Kosovës, pretendon se për hatër të tij po e njohin Kosovën, sidomos në këto tre-katër njohjet e fundit, por ka pasur raste edhe më herët. Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme pretendon se ato janë meritë e punës së kësaj ministrie. Unë do të thosha se ato (njohjet) janë rezultat i një procesi ndërkombëtar dhe i aleatëve të Kosovës, sidomos fuqive të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, Francës, Britanisë. Do të thosha se nuk janë rezultat fare i lobimit të vetë kosovarëve”, thotë Matoshi.

Edhe analisti Ardian Arifaj vlerëson se rivalitetet e zyrtarëve të lartë brenda Qeverisë së Kosovës për të përvetësuar, siç thotë ai, lavdinë për njohjet e reja të Kosovës, kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh përvojat nga e kaluara.

Përderisa kompetencat në mes zëvendëskryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme nuk janë të definuara qartë në letër, sigurisht që do të ketë hapësirë edhe për garë, keqkuptime dhe ndoshta ndonjëherë edhe për tensione në mes të dyja palëve”, shprehet Arifaj.

Analisti Arifaj vlerëson se tensionet që i krijojnë rivalitetet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, nuk do të ndikojnë në punën e saj, dhe nuk pret se mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës aktual.

...njerëzve më së shumti u intereson si të vijnë njohjet, pa marrë parasysh se meritë e kujt është ajo.
E para, njerëzve më së shumti u intereson si të vijnë njohjet, pa marrë parasysh se meritë e kujt është ajo. Kosova më së shumti ka nevojë për këto njohje. E dyta, me gjithë tensionet e mundshme, nuk kemi pasur ndonjë arsye për t’u shqetësuar se është duke u rrezikuar koalicioni qeveritar dhe se mund të cenohet puna e Qeverisë”, thotë ai.

Por, ndryshe mendon analisti Matoshi, i cili thekson se rivalitetet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë mund ta zbehin punën e saj.

Natyrisht se mund të reflektojnë në cilësinë e punë së qeverisë. Ato (rivalitetet) e zbehin, së paku në sytë e botës, seriozitetin e politikës së jashtme të Kosovës. Unë do të thosha se objektivisht, në momentin aktual, Kosova nuk ka fare dhe nuk prodhon politika të jashtme, por ato bëhen vetëm ‘ad hoc’ dhe kësisoj, secili që ka mundësi që t’i drejtohet publikut, i përvetëson dhe i personalizon ato, duke dëshmuar se në Kosovë kemi një model të qeverisjes personale ose një pushtet personal e jo një pushtet të shtetit", shprehet Matoshi.

Sidoqoftë, analistët e çështjeve politike kanë vlerësuar se asnjë shtet serioz nuk e ka njohur dhe nuk do ta njoh Kosovën për shkak të një individi, por për shkak të politikave shtetërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG