Ndërlidhjet

Dialogu ngadalëson njohjet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dialogu Prishtinë - Beograd ka një ndikim të caktuar edhe në procesin e njohjeve të Kosovës, thonë analistët. Sipas tyre, disa shtete mund të presin për rezultatet që do të sjellë ky dialog, para se të marrin ndonjë vendim për njohjen e shtetit më të ri.


Analistët politikë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme ndikimin e bisedimeve Prishtinë - Beograd në procesin e njohjeve të reja të Kosovës.

Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga shpallja e pavarësisë, Beogradi ka përdorur në vazhdimësi strategjinë e saj, me të cilën çështjen e Kosovës mundohet ta paraqesë si të diskutueshme dhe të pazgjidhur.

Ai përmend rastin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe dialogut që pasoi më pas, si pjesë të kësaj politike. Andaj, dialogun e sheh si ndikues në ngadalësimin e dinamikës së njohjeve.
...dialogu si pjesë e kësaj strategjie, ka ndikuar që shtetet, të cilat kanë mëdyshje se si të përcaktohen rreth statusit të Kosovës, të mbajnë ende pezull qëndrimin mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës.



“Është strategji serbe që në çfarëdo mënyre të lërë hapësirë diskutimi rreth asaj se a është çështje e përmbyllur çështja e Kosovës. Dhe, në këtë drejtim edhe dialogu si pjesë e kësaj strategjie, ka ndikuar që shtetet, të cilat kanë mëdyshje se si të përcaktohen rreth statusit të Kosovës, të mbajnë ende pezull qëndrimin mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Do të thotë, është një strategji e suksesshme nga ana e Serbisë që ka ndikuar në ngadalësimin e ritmit të njohjes së shtetit të Kosovës”
, shprehet Hoxha.

Ndërkohë, analisti Krenar Gashi nga KIPRED, thotë se mungesa e njohjeve është më tepër rezultat i lobimit jo të mjaftueshëm nga ana e Qeverisë.

Ndonëse edhe Gashi vëren një ndikim të bisedimeve në procesin e njohjeve, ai thotë se për shtimin e numrit të vendeve që do ta njihnin Kosovën, nevojitet një politike më aktive. Ai thekson se ka disa kategori shtetesh që pritet ta njohin Kosovën në të ardhmen.
Krenar Gashi

“Pikë së pari kemi kategorinë e shteteve që në asnjë mënyrë nuk e njohin Kosovën pa e njohur Serbia dhe te këto shtete dialogu mund të ketë një rol pozitiv, sepse po shihet një përafrim i mendimeve për çështjet teknike".

"Kurse, te shtetet, të cilat kanë hezituar fillimisht ta njohin Kosovën, sepse nuk e kanë pasur prioritet, aty dialogu mund të luajë një rol negativ, për arsye se vetëm mund ta zvarrisë procesin e njohjeve prej tyre. Mirëpo, përgjithësisht mendoj se nuk është faji te dialogu për mungesën e njohjeve, por është faji te mungesa e lobimit formal dhe joformal të kësaj Qeverie”
, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Aktiviteti diplomatik i Qeverisë së Kosovës në funksion të lobimit dhe njohjeve kritikohet edhe nga analisti tjetër, Ylli Hoxha. Ai thotë se bisedimet mund t’i sjellin në fund të vitit favore politike Serbisë, përderisa përfitimet e Kosovës, sipas tij, mbeten diskutabile.


“Kemi pasur një ngathtësi totale të Qeverisë, e cila ka qëndruar duarkryq drejt kundërveprimeve të Serbisë. Ajo që do të sjellin marrëveshjet eventuale janë rezultatet e drejtpërdrejta, të cilat do t’i korrë Serbia dhe ajo do të manifestohet në fund të vitit me statusin e kandidatit për vend anëtar në BE, ndërsa çfarëdo përfitimi i Kosovës mund të ndodhë, por nuk kemi asnjë garanci për këtë”, thotë Hoxha.

Deri më tash Kosovën e kanë njohur 75 shtete. Njohësit e së drejtës ndërkombëtare thonë se Kosovës i duhen më shumë se 100 njohje për anëtarësimin eventual në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera.

Ndërsa, pengesa më e madhe për Kosovën në këtë aspekt, mbetet mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG