Ndërlidhjet

Kanceri i lëkurës, mangësi trajtimi dhe diagnostikimi


Qeliza kanceri
Qeliza kanceri
Zyrtarë shëndetësorë thanë se për kancerin e lëkurës, si një nga sëmundjet me rrezikshmëri të lartë, vazhdon të mungojë trajtimi i duhur në institucionet shëndetësore publike dhe ato private, e madje edhe diagnostikimi i tij. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë tha se kjo sëmundje paraqet një problem mjaft të madh, që ndërlidhet me financimin e dobët të sistemit shëndetësor kosovar.


Në institucionet shëndetësore kosovare nuk ka kuadër profesional, e as pajisje adekuate për diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të lëkurës, tha Nijazi Ahmeti, dermatolog.

“Te ne, kuadri profesional nuk është i përgatitur në nivelin që kërkon kjo sëmundje, por edhe më pak janë të përgatitura institucionet shëndetësore meqë nuk posedojnë pajisjet adekuate për ta diagnostikuar me kohë këtë sëmundje”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, në Kosovë ende nuk dihet se sa persona janë të prekur me kancer të lëkurës në mungesë të kancer-regjistrit. Ai shtoi se kjo sëmundje ka një rrezikshmëri të lartë dhe zhvillohet shumë shpejt, e që nuk mjekohet.

QKUK
“Nga hulumtimet që bëhen, nuk ka të dhëna të sakta se sa persona janë të prekur me kancer të lëkurës. Mundësitë terapeutike janë të vogla, jo vetëm te ne, por edhe më gjerë, sepse kanceri i lëkurës zhvillohet shumë shpejt dhe është një enigmë për dermatologjinë. Pavarësisht të gjitha përparimeve të shumta mjekësore, (kanceri i lëkurës) është njëra nga sëmundjet me rrezikshmëri të lartë dhe nuk mjekohet. Është problem jo vetëm shëndetësor, por edhe i shëndetit publik, në përgjithësi”, shpjegoi Ahmeti.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, theksoi se sa i përket sëmundjeve të kancerit të lëkurës, mostrajtimi adekuat është si pasojë e mosfinancimit të shëndetësisë kosovare. Sistemin kosovar shëndetësor, ministri Agani e cilësoi si sektorin më së paku të financuar në rajon dhe më gjerë.


“Mendoj se është një mangësi e madhe e sistemit shëndetësor të vendit. Sa u përket kapaciteteve diagnostikuese nuk mungon përvoja klinike dhe stafi profesional, kështu që nuk ka problem, por problem paraqet trajtimi, sepse mungon shërbimi radioterapeutik, gjë në të cilën jemi duke punuar”, theksoi Agani në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Melanoma malinje dhe karcinomat e lëkurës”, organizuar nga Asociacioni i Dermatovenerologëve Shqiptarë, në bashkëpunim me Klinikën e Dermatologjisë së Zagrebit.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe dermatologia nga Zagrebi, Jasna Lipozençiq, e cila inkurajoi dermatovenerologët kosovarë që të avancojnë me njohuritë e tyre profesionale, duke ndjekur shembullin kroat, teksa theksoi se në këtë proces të arritjes së rezultateve që kanë vendet e BE-së në këtë fushë, ata do ta kenë mbështetjen e kolegëve të tyre nga Kroacia.
XS
SM
MD
LG