Ndërlidhjet

BE: Mbështetje për demokraci, por jo edhe për refugjatët arabë


Emigrantët tunizianë në Itali.
Emigrantët tunizianë në Itali.

Revolucionet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore kanë çuar në një valë të refugjatëve, që po e kalojnë Detin Mesdhe për të arritur në Evropë. Derisa Bashkimi Evropian ishte një lider i zëshëm për ndryshime demokratike në rajon, vendet anëtare të BE-së po e shohin se nuk është i lehtë ballafaqimi me të ardhurit nga shtetet e tjera.



Pas trazirave politike në Tunizi, mijëra emigrantë të Afrikës Veriore kanë arritur në brigjet e ishullit italian, Lampedusa.

Përkundër mbështetjes së zëshme të BE-së për demonstratat për demokraci në Lindjen e Mesme, afro 5500 emigrantë të rinj, përfshiër më se 100 fëmijë, nuk janë pritur me duar të hapura.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ishin më pak të shqetësuara me ndihmën për emigrantët dhe më tepër interesoheshin për ashpërsimin e sigurisë kufitare për parandalimin e ardhjes së refugjatëve të rinj.

Në këtë kuadër, Ana Fontal, zëdhënëse e Këshillit Evropian për refugjatë dhe persona në ekzil, thotë:

“Bashkimi Evropian është shumë i mirë në bashkëpunim me anën represive të gjërave - pra kur kemi të bëjmë me kontrollin kufitar. Por, ai realisht heziton kur kemi të bëjmë me mbrojtjen ndërkombëtare të njerëzve, që realisht u duhet”.

Çështja e emigrantëve të Afrikës Veriore do të diskutohet gjatë javës së ardhshme nga ana e ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.

Por, Gjermania dhe Austria tashmë kanë thënë se ato do ta refuzojnë çdo refugjat tunizian që vjen nëpërmjet Italisë.

Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, i ka dërguar kërkesë Komisionit Evropian dhe agjencisë kufitare të BE-së, Fronteks, për të ndihmuar në forcimin e vëzhgimit kufitar në ujdhesën Lampedusa, që gjendet vetëm 40 kilometra nga Tunizia.

Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian prej atëherë kanë paralajmëruar se do të ndihmojnë me pajisje dhe njerëz.

Sesilia Malmstrom, komisionare për çështje të brendshme të Bashkimit Evropian, thotë se Brukseli është i përgatitur ta ndihmojë Italinë dhe çdo vend tjetër që ka gatishmëtri për të pranuar emigrantë, me mbështetje financiare dhe me personel të agjencisë Fronteks.

Mikele Çerkone, zëdhënësi i komisionares Malmstrom, thotë për Radion Evropa e Lirë se diskutimet për ndihmë janë në zhvillim e sipër.

“Në njërën anë jemi duke e vlerësuar llojin e ndihmës financiare që mund t’i japim Italisë, për t’u marrë me këtë situatë emergjente ashtu siç ata kanë kërkuar. Në anën tjetër, komisionarja Malmstrom është në kontakt të vazhdueshëm me agjencinë Fronteks, e cila aktualisht po e krijon një mision që do të veprojë në Detin Mesdhe, me qëllim që ta forcojë vëzhgimin kufitar”, thotë Çerkone.

Zëdhënësi i agjencisë Fronteks, Majkell Parzisak, thotë se plani operacional për t’u marrë me fluksin e emigrantëve do të jetë shumë shpejt gati.

Derisa Roma pritet të kërkojë nga vendet e tjera anëtare të BE-së që t’i pranojnë disa emigrantë, të tillë si duket nuk do të ketë. Pos refuzimit këmbëngulës të Gjermanisë dhe Austrisë, edhe Franca ka dërguar sinjale të fuqshme se nuk ka disponim për të pranuar refugjatë.

Italia po ashtu po e shqyrton mundësinë e kërkimit të vendosjes së një force për reagim të shpejtë, që do të përbëhej nga kufitarët e vendeve të ndryshme anëtare.

Një forcë e këtillë do të formohej për 10 ditë dhe ishte kërkuar edhe nga Greqia, vitin e kaluar, për ta ndalur arritjen e emigrantëve nëpër Turqi.

Pjesa më e madhe e emigrantëve të rinj janë meshkuj. Besohet se 30 apo 40 veta janë zhdukur dhe konsiderohet se janë fundosur në përpjekje për ta kaluar Mesdheun.

Ministri i Brendshëm italian, Maroni, ka tërhequr vërejtjen se më se 80 mijë refugjatë mund të arrijnë në Itali gjatë muajve të ardhshëm. Por, kritikët konsiderojnë se këto të dhëna janë të rritura.

Drejtori i Këshillit italian për refugjatë, Kristofer Hein, akuzon Romën për reagim të tepruar.

“Pesë mijë njerëz nuk do të jenë një emergjencë e tillë. Personalisht besoj se reagimi i Italisë ishte pak i ekzagjeruar. Po ashtu, nuk është realiste tash të flitet për ndarjen e ngarkesës evropiane, pasi atëherë Spanja dhe Greqia do të kërkojnë të njëjtën gjë, e të mos flasim për vendet e mëdha, siç është Gjermania”, thotë Kristofer Hein. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG