Ndërlidhjet

Filloi Epopeja e UÇK-së


Pamje nga manifestimi Epopeja e UÇK-së
Pamje nga manifestimi Epopeja e UÇK-së

Me moton “Bac, u kry", ka nisur sot, në Prishtinë, manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”. Manifestimi i sivjetmë shënon dhjetëvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz të Drenicës.


Me parakalimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, para krerëve të lartë shtetërorë dhe qindra qytetarëve, në qendër të Prishtinës, ka filluar sot manifestimi tashmë tradicional - Epopeja e UÇK-së.

Epopeja e sivjetme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënon dhjetëvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij, në Prekaz.

Manifestimet e shumta, që mbahen për tri ditë radhazi, kanë filluar me moton “Bac, u kry”, një slogan ky dedikuar Adem Jasharit, ideuar dhe publikuar nga tre të rinj kosovarë, dy ditë para se të shpallej pavarësia e Kosovës.

Mon Veliu, një nga qytetarët që kishin dalë të shihnin paradën e TMK-së, thotë se amaneti për liri i të gjithë të rënëve, si dhe i vetë Adem Jasharit, tashmë u përmbush.

“Amaneti i tij është çuar në vend. Komandanti legjendar, me tërë familjen, ka luftuar që ne sot ta gëzojmë këtë ditë, prandaj i tërë populli shqiptar është i obliguar që të mos e harrojë këtë datë”, ka thënë Veliu.

Qerim Seferi mendon se asnjë nga manifestimet e 8 vjetëve të kaluara nuk e bart peshën dhe simbolikën e festës së sivjetme.

“Kjo është kthesa e parë, apo parakalimi i ushtrisë sonë në Kosovën e pavarur. Kanë parakaluar edhe në 8 vjetët e kaluara, por kjo është më domethënëse për krejt kombin shqiptar”, tha Seferi.

Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet, për herë të parë, marshimi i batalioneve të TMK-së është bërë në qytet, para institucioneve dhe krerëve të lartë shtetërorë dhe jo në stadiumin e Prishtinës.

“Nisja e sotme dhe marshimi në qendër të qytetit, pranë institucioneve të Kosovës dhe para shtatores së Skënderbeut, është ai evenimenti më i rëndësishëm që i kemi dhënë karakter shtetëror, pasi që tash jemi në Kosovën e lirë dhe në Republikën e Kosovës së pavarur. Kështu që kemi menduar se marshimi nëpër qytet do të japë atë ngjyrën e vet të karakterit, edhe të asaj që po pretendojmë ne, që nesër të jemi ushtri e Kosovës”, tha zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, kolonel Shemsi Syla.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe ish-komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çeku, duke folur për rëndësinë e jubileut të sivjetmë, thotë se atë e bën edhe më të veçantë fakti se sivjet po shënohet në shtetin e pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës.

“Padyshim se 5 marsi është një nga datat më historike të popullit shqiptar, meqë ka bërë kthesë në historinë e popullit dhe të vendit tonë. Është një datë që shënon një nismë për shtetësinë e Kosovës. Është vërtet kënaqësi që sot, në këtë dhjetëvjetor, po e shohim TMK-në, e cila pas luftës ka qenë forca dhe institucioni i vetëm që është identifikuar me shtetin. Unë, si komandant dhe pjesëtar i saj, i këtyre rreshtave, ndihem krenar që kam dhënë kontributin në rritjen dhe zgjerimin e këtyre rreshtave të mëdhenj të TMK-së. Më vjen mirë që sot TMK-ja po arrin qëllimin e vet, po realizon vizionin e vet që Kosova të jetë shtet dhe ajo ushtri e shtetit të Kosovës”, tha Çeku.

Manifestimet e Epopesë së UÇK-së do të vazhdojnë nesër me homazhet në varrezat e dëshmorëve nëpër të gjitha komunat e Kosovës, me performansën alternative nëpër hapësira të ndryshme, në sheshin "Nëna Terezë", si dhe akademinë solemne, në të cilën Filarmonia dhe Kori i Operës së Kosovës do të shfaqin një koncert.

Ditët e Epopesë përfundojnë më 7 mars me Natën e Zjarreve.

XS
SM
MD
LG