Ndërlidhjet

Përplasje të dhunshme në Prishtinë


Përplasje të dhunshme në Prishtinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Përplasje të dhunshme në Prishtinë

Protesta e së shtunës, e thirrur nga tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka përfunduar me përplasje ndërmjet një grupi protestuesish dhe Policisë së Kosovës.

Pas përfundimit të fjalimeve nga liderët e tri partive politike opozitare, para mijëra protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, të cilët bënë thirrje për dorëheqjen e Qeverisëm, pak pas orës 15, një grup i protestuesve ka hedhur gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi në drejtim të Policisë dhe objektit të Qeverisë së Kosovës.

Fillimisht, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nuk kanë reaguar, por, sipas zyrtarëve të saj, më pas ata janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës.

Përplasjet e dhunshme ndërmjet protestuesve dhe njësive speciale të policisë, e cila ka intervenuar për të shpërndarë turmën, janë bartur në rrugët qendrore të Prishtinës dhe kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes.

Protestuesit janë përgjigjur në disa raste me koktej molotovi,duke i vënë flakën edhe disa makinave të blinduara të policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një konferencë për medie, në orët e pasdites, ka thënë se Policia e Kosovës ka qenë e vetëpërmbajtur gjatë protestës së të shtunës, pavarësisht se është sulmuar me mjete të forta nga disa protestues të opozitës.

“Policia e Kosovës, gjatë gjithë kohës u ka bërë thirrje protestuesve të dhunshëm që të ndërpresin hedhjen e mjeteve të ndryshme drejt policisë, të mos hedhin mjete dhe koktej molotovi drejt policisë dhe drejt objektit të Qeverisë. Atje është bërë një djegie e objektit në katet e ulëta”.

“Referuar gjithë këtyre ngjarjeve dhe gjithë kësaj dhune të tepruar të shfaqur nga një grup, kryesisht i të rinjve, drejt policisë dhe drejt objekteve shtetërore, Policia e Kosovës është detyruar që të intervenuar, duke përdorur mjetet e saj të ligjshme, për t’i shpërndarë protestuesit e dhunshëm”, ka deklaruar Kelani.

Policia e Kosovës, së fundmi, përmes një komunikate për medie ka theksuar se, “ka arritur të arrestojë 34 protestues të dhunshëm, te të cilët janë gjetur mjete të dyshuara, si thika, koktej molotovi e gjëra që u kanë shërbyer për kamuflim”

Gjithashtu, sipas Policisë së Kosovës, “si pasojë e hedhjes së mjeteve të forta dhe mjeteve të rrezikshme nga protestuesit, kanë pësuar lëndime 24 zyrtarë policor, 4 qytetarë, prej tyre edhe gazetarë”.

​Lidhur me numrin e pjesëmarrësve në protestën e së shtunës të thirrur nga tri partitë opozitare, Policia e Kosovës dhe opozita kanë dhënë shifra kundërthënëse.

Sipas Policisë së Kosovës në protestë kanë marrë pjesë rreth 8 mijë protestues, ndërkaq, sipas opozitës në protestë kanë marrë pjesë më shumë se 100 mijë qytetarë.

Protestës së ditës së shtunë i kanë prirë tre liderët e tri partive opozitare,Visar Ymeri nga Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga AAK-ja, dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.

Gjatë këtij tubimi, liderët e opozitës kanë kërkuar “largimin e Qeverisë së Kosovës, të cilën e drejton kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi”.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka theksuar se Qeveria e Kosovës, me marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka shkelur Kushtetutën dhe se udhëheqësit e kësaj Qeverie duhet të largohen nga pushteti.

“Ky masivitet popullor i tregon Isës dhe Hashimit se nuk mbahet pushteti me polici, se nuk mbahet pushteti me përpjekje e shtypje, se nuk ka shtet me sovranitet kur në krye të tij janë miqtë e Vuçiqit dhe Daçiqit. Nuk ka demokraci kur në krye të shtetit janë shkelësit e Kushtetutës”, ka thënë Ymeri.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se liderët e partive të koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, e kanë armiqësuar e popullin ndërmjet vete.

Sipas tij, protesta e së shtunës tregon se populli i kundërshton këta liderë dhe kërkon dorëheqjen e tyre.

“Atyre po u thonë jo pikërisht ata, që këta janë thirrur në vlerat e tyre. Këtyre sot po u thonë JO atdhetarët, të cilët janë thirrur në vlerat e tyre dikur. Po u thonë JO të rinjtë, të rejat dhe intelektualët, dhe po u themi JO të gjithë ne sot këtu. Pra sot kemi ardhur që t’u themi JO...Jo Isë, jo Hashim; shkoni”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka theksuar se protesta e së shtunës dërgon porosi të fuqishme kundër atyre që shkelin Kushtetutën.

Për këtë, ai kërkon llogari nga Qeveria e Kosovës.

“Ashtu siç kemi ardhur për të mbrojtur Republikën tonë; ashtu siç shihen mijëra parulla që janë në mbrojtje të Kushtetutës; kështu siç kemi ardhur në mënyrë paqësore, ne duhet ta ngremë zërin në mënyrë paqësore, të fuqishme, me praninë tonë fizike, për aq sa ka nevojë, derisa kjo Qeveri të largohet nga pushteti”, ka thënë Limaj.

Protesta e së shtunës, e thirrur nga partitë opozitare, është e para në këtë vit, pas një varg tubimesh dhe protestash të organizuara edhe në disa qendra tjera të Kosovës.

E thirrur nga tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, protesta e 9 janarit është mbajtur me moton “Protestojmë për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë anti-kushtetuese”.

Protestat e opozitës kishin nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Opozita, kërkesave të deritashme, për anulimin e këtyre marrëveshjeve, ua ka shtuar edhekërkesën për dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Protesta e opozitës në Prishtinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG