Ndërlidhjet

Parimet e Asociacionit “nuk janë tërësisht” në përputhshmëri me Kushtetutën


(©Shutterstock)
(©Shutterstock)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me Nenin 3, i cili ka të bëjë me barazinë para ligjit, me Kapitullin II që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore, si dhe me Kapitullin III për të drejtat e komuniteteve dhe pjesetarëve të tyre.

Këto parime, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe.

Intepretimi i kushtetueshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është kërkuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 30 tetor.

Kjo, pasi partitë opozitare në Kosovë kanë penguar punimet e Kuvendit, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa që të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja me palën serbe. Sipas opozitës, kjo marrëveshje çon në ndarje të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, dhjetë ditë pas marrjes së kërkesës nga presidentja, ka vendosur të pezullojë përkohësisht Marrëveshjen për Asociacionin, deri në vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve të saj.

Me vendimin e sotëm, të nënshkruar nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, ka përfunduar edhe pezullimi i përkohshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG